Analiza

Kush janë më të fuqishëm financiarisht, “Grupi i Zjarrit” apo “Ahmetistët”?

Gjykuar nga rrogat që i marin më të fortë janë “Ahmetistët”, sepse ata për momentin kanë më shumë pozita ministrore, deputetësh, drejtorësh, kryetarë komunash, etj. Mirëpo njohësit e rrethanave vlerësojnë se rrogat nuk janë tregues shumë i saktë dhe i rëndësishëm, nëse bëhet krahasim se cili krah është më i fuqishëm ekonomikisht.
Por gjithaesi nuk e mohojnë se “takati financiar” do të ketë rëndësi mjaft të madhe se cili krah do dalë fitues.

“Derisa të jenë TELEKOMI DHE PUCKOPETROLLI, BDI mund të vazhdojë edhe pa Ali Ametin, Musa Xhaferin, Izet Mexhitin, Blerim Bexhetin, Visar Ganiun etj.”, madje do të shkruajë me një rast ish ministri i financave Xhevdet Hajredini, njohës i mirë i rrethanave ekonomiko-politike në vëndin tonë.

Bazuar në listat e pasurisë të dorëzuara në Komisionin për Antikorrupsion, më të pasur rezultojnë “Ahmetitstët”. Mirëpo në opinion ekziston bindje e thellë se ajo që paraqitet në antikorrupsion është vetëm një pikë uji në oqean, në raport me
pasurinë reale që posedojnë politikanët tanë.
Në këtë drejtim përmenden pasuri të shumta duke filluar nga Saranda e Vlora, deri te Gjiri i Lalzit. Poashtu përmenden edhe hotele në Dubai, investime ndërtimore në Austri, Zvicër, Gjermani e Skandinavi, por edhe ndërtime në Ferizaj, Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, parcela në aksin ku do të kalon rruga e re Shkup-Bllacë. Ndërtimet në Çair, Saraj, Butel, Karposh…, nuk po i përmendim sepse ato i din mbarë opinioni, njëjtë sikurse dihet se kush sa për qind posedon nga politika në shumë ndërtesa nga Kumanova e deri në Strugë.

Investimet në sektorin e energjetikës janë një sektor ku poashtu thuhet se masin forcat dy grupet kryesore të BDI-së. Në këtë sektor, thuhet se gjatë kohë primatin e ka mbajtur “Grupi i Zjarrit”, mirëpo tani fuqishëm ka shkelur edhe grupi “Ahmetitstëve”, sepse bëhet fjalë për sektor ndër më fitimprurësit në vend.

Zanafilla e biznesit

Informacionet e para për “zhvillimin ekonomik” të BDI-së datojnë që nga shpallja e konkurseve masovike për punësim të rinjve shqiptar, kur shumë prej tyre për të arritur deri te vendi i shumëdëshiruat i punës në administratë, thuhej se duhet të japin “kontribut vullnetar 3-5 mijë euro”. Shumë prej tyre ishin detyruar të marin kredi për të arritur deri te vendi i punës, kredi të cilat arritën t’i mbulojnë vite më vonë, vetëm pasi shkuan të punojnë në McDonalds në Gjermani.

Zhvillimi emonomik thuhet se vazhdoi me rastin “Telekom”, por edhe me tenderët nëpër institucione shtetërore.
Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur edhe mosmarrëveshje të ndryshme, shkaku se pjesë e madhe e pasurisë ka qenë në emër të personave tjerë, për t’i humbur gjurmët. Mirëpo kur “personat tjerë” e kanë ndier veten mjaftueshëm të fuqishëm, e kanë përvetësuar tërë pronën, duke shkaktuar probleme mes veti.

(Analizë e përgatitur nga Iljasa Selimi)