April 29, 2024
Rajon - Botë

Kusari-Lila: BE paralajmëron masa për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se do të jetë hera e parë që Komisioni Evropian vendosë masa ndaj një shteti për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë.
Ajo ka shkruar se masa të tilla mund të vijnë meqë Kosova po tenton të vendosë sundimin e ligjit brenda gjithë territorit.

“Do të jetë hera e parë në historinë e Bashkimit Evropian dhe ndoshta e fundit që Komisioni Evropian vendos masa ndaj demokracisë për arsye të cilat nuk mund t’i artikulojë. Ose mund të jetë sepse Kosova u përpoq të vendosë sundimin e ligjit në tërë territorin dhe mbajti zgjedhjet dhe respektoi rezultatet”, ka shkruar ajo në Twitter.

Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës dhe ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.