May 24, 2024
Rajon - Botë

Ekipi i FSK-së shpëton një fëmijë 2-vjeçar nga rrënojat në Turqi

Forca e Sigurisë së Kosovës tha se ka shpëtuar nga rrënojat e tërmetit në Turqi një fëmijë të moshës 2-vjeçare.

Në njoftimin për media thuhet se ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, dhe përveç shpëtimit të fëmijës, “janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja”.

FSK-ja tha se gjatë operacionit që janë duke realizuar, ekipet e saj në Turqi kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por se prioritet i tyre mbeten vendet ku janë detektuar persona të gjallë, “dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”.

Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, kanë humbur jetën mbi 11.700 persona.

Mbrëmjen e po kësaj dite, një kontingjent i FSK-së ishte nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti.

Presidentja Vjosa Osmani, e shpalli të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri.