April 28, 2024
Kosovë

Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendosi pasi të vizitohen policët e rrëmbyer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për pjesëmarrjen e tij në takimin e ftuar në Bruksel, do të vendos pasi që të marrë informacione për gjendjen e tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe.
“Unë e kam kërkuar takimin për javën që shkoj por më është thënë që duhet të de-eskalohet gjendja e më pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviq, pra eskalimi u shtua dhe vetëm më pas unë u ftova për një takim të radhës në Bruksel që nuk jam i sigurt se është menduar saktësisht për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se do të presë vizitën e ambasadorit të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë.
“Unë dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari në burg në Kralevë dhe vetëm më pas, kur ti kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng, po mbahen rob në Serbi, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”, u shpreh kryeministri.

Kurti më tej shtoi se ambasadori Jashari pritet që nesër të shkoj të vizitoj tre policët që po mbahen në burg.

“Vizita është menduar të bëhet nesër dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin tonë që të më njoftoj për gjendjen e tyre”, tha Kurti.

Ai ka shtuar tutje që ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta reduktojë numrin e pjesëtarëve të saj në katër komunat veriore gradualisht dhe proporcionalisht me kushtin që të ketë sundim të ligjit.
“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”, ka thënë Kurti.