Misioni i kompletuar/ Kosovari futet në Kiev për ta shpëtuar një vajzë e cila ishte bllokuar në luftë (Pamje)

Esat Hamiti nga Hajvalia e Prishtinës, me banim në Francë, i ka dhënë vetit një mision për të kryer. Ai së bashku me shokun e tij, Brice Auert, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar një jetë tjetër të vlefshme. Nga Franca morën rrugën për në qytetin më të përfolur nga bota, në Kiev të Ukrainës, atje ku po luftohet mes ukrainasve dhe rusëve.

Ata kishin vetëm një qëllim, ta shpëtonin Alinën, një 30 vjeçare ukrainase e cila kishte mbetur e vetmuar dhe e bllokuar në zonën e luftës, pasi familja e saj kishte ikur pak ditë më parë për në Francë.

Misioni i dy burrave, një shqiptari dhe francezi u miratua nga Gjykata në Sarreguemines e Francës. Ata me një furgon të bardhë, të tipit Wolsfagen u nisën nga Franca të shtunën pasdite dhe duke gjetur një korridor të lirë nga Polonia u futën fillimisht në Lviv e pastaj nën direktivat e autoriteteve franceze, arritën në cak, të Alina- e cila mezi po i priste të largohej nga zona e shpërthimeve të bombave.

IndeksOnline ka biseduar në vazhdimësi me Esatin i cili ishte duke e kompletuar misionin e tij- ndoshta më të madhin në jetë.

Pas largimit nga Ukraina, rrugës për në Francë, ai ka rrëfyer gjithë ngjarjen- prej kur është marrë vendimi se mund të nisen për Ukrainë, e deri te përmbushja e detyrës kryesore, shpëtimit të një jete.

“Vendimi nga Gjykata në Sarreguemines është marrë me 5 mars. Mua dhe shokut tim, Brice Auert me të cilin bashkëpunojë në Francë na është lejuar që të shkojmë në Ukrainë për ta marrë Alinën, 30 vjeçare e cila kishte mbetur e vetme nga familja e saj e bllokuar në zonën e luftës. Prindërit e saj dhe vëllezërit kanë ikur para disa dite në Francë ndërsa Alina kishte mbetur në periferi të Kievit, atje ku po granatohet zona nga rusët”, ka thënë për IndeksOnline, Esati Hamiti.

Për të shkuar në Kiev, Esati dhe shoku i tij Brice gjetën një korridor të lirë nga Polonia për në qytetin Lviv ndërsa prej aty duke shfrytëzuar rrugë alternative u futën në zonën e luftës.

“Kemi qenë nën mbikëqyrje dhe nën koordinata të vazhdueshme nga autoritetet franceze të cilët na njoftonin se cilat rrugë duhet ndjekur për të shkuar deri të caku. Në Kiev kemi arritur të dielën në orën 04:00 ndërsa vetëm pas dy orëve pasi e morëm Alinën jemi larguar dhe tani jemi rrugës për në Francë”, ka thënë i riu nga Hajvalia e Prishtinës.

Gjatë përmbushjes së detyrës, ata kanë pasur shumë telashe pasi që është dashur të kalojnë në kontrolle të rrepta dhe rruga që shpresuan se ishte e sigurt, doli të jetë e shkatërruar nga raketat ruse.

“Rrugës derisa po largohemi kemi pasur shumë telashe pasi që urat ishin shkatërruar nga bombardimet dhe jemi detyruar të ndjekim rrugë alternative për të ikur nga zona e luftës. Mbrëmë kam dëgjuar 12 shpërthime të mëdha nga ajri ndërsa në momentin kur kemi arritur të Alina, rusët kanë qenë vetëm 700 metra larg nesh”, ka rrëfyer ndër të tjera ai, duke shtuar se konvoi i gjatë i automjeteve luftarake ruse që po përflitet shumë për të nëpër media, ka qenë larg nga zona ku ata kanë vepruar vetëm 22 km.

Esatit i kanë lënë përshtypje shumë pozitive ushtarët ukrainas të cilët ishin shumë vigjilent në detyrën e dhënë nga shtetit, për ta mbrojtur territorin e tyre nga agresioni rus.

“Ishin shumë të përgatitur dhe ani pse luftë në fytyrat e tyre vërehej një qetësi. Ata na ndihmonin aq sa mundeshin për të larguar Alinen”, ka treguar ai.

Kosovari që kreu një gjest human ndjehet i lumtur që ka arritur të bëjë atë që ka mundur në këtë luftë e cila ka trazuar botën./IndeksOnline/