May 20, 2024
Kosovë

Kurti: Anëtarësimi në BE, zgjidhje për kërcënimet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkon anëtarësimin e Kosovës në strukturat evropiane si përgjigje ndaj kërcënimeve nga Serbia.

Ai këto komente i bëri gjatë konferencës me temë “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, me ç’rast theksoi se gjatë dy viteve të drejtimit të Qeverisë së Kosovës, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën dhe sponsorizoi terroristët.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet të përdorin qasje të njëjtë ndaj Serbisë siç kanë përdorur ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, tha Kurti.

“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit. Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës.”, – deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kryeministri Kurti tha se mungesa e përparimit në anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Këshillin e Evropës nuk kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë dhe mbrojtjes së fortë të të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, por me sjelljen e një regjimi autoritar, sepse Serbia nuk është e interesuar për anëtarësim në NATO apo BE.

Serbia kërkon të bllokojë përparimin e gjithë rajonit, thekson Kurti.