April 29, 2024
Kosovë

Vjosa dhe Albini udhëtuan në Uashington, do të nënshkruajnë marrëveshje 200 milionë dollarë për investime

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.

Në njoftim thuhet se Osmani dhe Kurti do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së MCC për Programin Kompakt të Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës”, thuhet në njoftim.

E zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në udhëtim me Osmanin e Kurtin është edhe ministrja e e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë. Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Osmani dhe Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale.

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë tri projekte: 1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MË, që ofrojnë rezervë 340 MWh), 2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe 3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë. /Telegrafi/