Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në paraqitjen e mbrëmshme në emisionin “Win Win” në Telma TV, tha se Ministria po shqyrton ndryshimin e metodologjisë për subvencionimin e ushqimit të studentëve.

Sipas saj, përllogaritja aktuale, bazuar në normën e inflacionit, tregon se subvencioni për ushqimin studentor duhet të rritet me rreth 7 denarë, pra të arrijë në 147 denarë.

Megjithatë, ajo theksoi se në Ministri po shqyrtohet një ndryshim më i gjerë i sistemit. “Në vendet përreth nesh ekzistojnë metodologji të tjera. Ky është subvencion për ushqimin e studentëve, pra ata duhet të marrin një vakt. Ekzistojnë modele të ndryshme në rajonin tonë dhe ne aktualisht po i analizojmë. Me shumë gjasë do të ketë ndryshim të metodologjisë. Studentët të mos marrin para, por me shumë gjasë një lloj vauçeri, me të cilin do të mund të sigurojnë një vakt në restorante të caktuara, ku do të mund të zgjedhin ushqimin”, deklaroi ministrja.

Pra, ideja e re është: në vend që studentët të marrin drejtpërdrejt shumën monetare, ata mund të marrin vauçerë për ushqim, të përdorshëm në restorante të caktuara. Për momentin, bëhet fjalë për një propozim që po analizohet, jo për një ndryshim tashmë të miratuar.

" "
sqShqip