October 4, 2024
Maqedoni

Ku mbeti propozim-ligji për parandalimin e tregtisë jo-korrekte?

Propozim-Ligji për parandalimin e tregtisë jo-korrekte akoma mbetet në labirintet administrative.

Nëse nuk kalon në Kuvend para 31 dhjetorit, autoritetet janë të detyruar të vazhdojnë me masat e ngrirjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike, shkruan Alsat.

Kjo do të thotë se qytetarët do të blejnë me çmime të garantuara edhe në muajin Janar 2024, por fruta perimet që shiten nëpër tregje të gjelbra akoma mbeten të pakontrolluara, nga që shteti nuk arriti përmes këtyre vendimeve ti kufizojë.

Ministri Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se tregtarët individual që shesin nëpër pazare nuk kanë arka fiskale dhe këtu manipulojnë me çmime të frutave dhe perimeve, por me ligjin e ri kësaj do ti vije fundi.

“Tregjet e gjelbra për fate të keq nuk përfshihen sepse nuk janë të rregulluara me kornizë ligjore si tregtarë, por përcaktohen me ligje të tjera. Për tregjet e gjelbra kishim nismë për një ligj të posaçëm, por kishte protesta prandaj u prolongua me kërkesë të Odës Ekonomike. Në pjesën në tregti me pakicë dhe shumicë, siç janë rrjetet e super-marketeve dhe të ngjashme, çmimet e garantuara nuk mund të rriten. Në rastet kur qytetarët dhe ju mediat, vërtetoni se ka keqpërdorime me çmimet, menjëherë denonconi në Inspektoratin shtetëror të tregut dhe ata kanë përvojë që të përcaktojnë gjobat që iu takojnë”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Përderisa prodhuesit dhe tregtarët kritikohen mes veti se kush po fiton më shumë e kush më pak në industrinë ushqimore, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të shtrenjta për gjërat elementare. Nga Odat ekonomike thonë se vërejtja kryesore që është bërë në propozim Ligjin për tregti jo korrekte është që prodhuesit kanë shpenzime marramendëse dhe mezi arrijnë të fitojnë 3%, kurse tregtarët që marrin nga bujqit prodhimet dhe i furnizojnë marketet fitojnë nga 30%. Ky hendek i thellë pritet të normalizohet një herë e mirë me ligj, në normën e fitimit me 10% për secilin nga aktorë në zinxhirin e tregut të lirë.

“Fitimi neto i të gjithë prodhuesve paraqet 2-3-4% në faturën përfundimtare në këto vitet e fundit. Por, për ti plasuar këto produkte, flas për bujqit dhe prodhuesit e ushqimoreve, nëpër markete ju kërkojnë 25-30-35% nga shuma totale e të hyrave. Vlerësojmë se kjo është një e padrejtë e madhe! Jo vetëm që është padrejtësi, por i shtynë prodhuesit e kufirin e ekzistencës, mbijetesës, ndërsa tregtarët marrin kajmakun”, thonë nga ODA EKONOMIKE.

Ndonëse kanë mbetur më pak se dy javë deri në fund të vitit, akoma një draft final nuk është dorëzuar në Qeveri. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se deri të premten tjetër do të merr dritë jeshile në Qeveri dhe me flamur Evropian do të dorëzohet në procedurë parlamentare e cila pritet të miratohet në dy javë shtesë, por duke qenë se janë festat e fund vitit dhe në Kuvend primare është miratimi i Buxhetit 2024, kjo nënkupton se një ligj i ri, do të ishte me fat nëse kalon në plotfuqishmëri deri në fund të Janarit./ Alsat.mk