Kthesë pozitive, bie niveli i korrupsionit në Maqedoninë e Veriut sipas Transparency International
Organizata Transparency International nxori sot raportin e vitit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit. Raporti thekson se Maqedonia e Veriut ka një indeks 39, së bashku me Kosovën, dhe është në gjysmën e fundit të tabelës së 180 vendeve në botë, shkrruan VOA, transmeton Portalb.mk.
Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin te lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.
Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.
Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim prej katër pikëve, nga 35 në 39.
Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.
Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë.
Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.
Raportin e plotë e gjeni KËTU.
“Qasjet autoritare shkatërrojnë sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave e pavarura dhe bëjnë që përpjekjet kundër korrupsionit të jenë të varura nga tekat e elitës. Garancia që njerëzit të mund të flasin lirshëm dhe të punojnë kolektivisht për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt një shoqërie pa korrupsion”, shprehet kryetarja e Bordit të Drejtorëve të organizatës Transparency International.
Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë gjendjen më të keqe.
Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore është i dyti në botë për sa i përket korrupsionit të lartë.
Vitin e kaluar, vazhdoi të binte në sy mënyra se si qeveritë e përdorën pandeminë e Covid-19 si pretekst për të ndrydhur liritë civile dhe për të vazhduar mungesën e transparencës.
“Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përsa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe do të thosha se ky është lajm i keq, pasi që vendet të bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe që qytetarët të ndjejnë efektet e reformave dhe që jeta e tyre të përmirësohet, duhet të shohim rezultate shumë më të mira. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shohim kryesisht ngecje, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës”, tha Lidija Prokic, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International.
Në Indeksin e vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut u rendit e 111-ta me 35 pikë. Në rajon më keq se Maqedonia e Veriut janë Serbia me 38 dhe Bosnja dhe Hercegovina me indeks 35.