May 16, 2024
Lajmet e rejaMaqedoni

Gashi: Lidhja është gjallë, Ndryshimi po vjen!

(Fjalimi në Tetovë i Afrim Gashit, Kryetar i Alternativës! 28.11.2023)

Të nderuar kolegë kryetarë, Izet e Bilall,
Të dashur përfaqësues të partive të koalicionit Lidhja Europiane për Ndryshim,
Të nderuar miq të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, Ardita Sinani dhe Bekim Qoku
Të nderuara zonja, të nderuar zotërinj dhe ju rini e mrekullueshme e Lidhjes,

Mirëmbrëma e mirë se keni ardhur në kremtimin e Ditës së Flamurit dhe në tubimin e parë të Lidhjes.

Më lejoni që fillimisht të gjithë juve dhe familjeve tuaja t’jua uroj Ditën e Flamurit, duke ju dëshiruar që jeta juaj të jetë flamur që i valon sukseset në planin kombëtar, familjar e personal. Urime 28 Nëntori të gjithëve!

E duke qenë në këtë ditë kaq të rëndësishme për të gjithë ne, kur po vendosim nënshkrimet tona në një deklaratë të përbashkët për t’i dhënë emër, ngjyrë, trajtë dhe formë dëshirës së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të na parë të bashkuar, kam kënaqësi të theksoj dy-tri gjëra, që mendoj se janë të rëndësishme për këtë moment.

Meqë vendi ynë gjendet në prag të fillimit të negociatave për aderim në BE, dua të theksoj se arsyeja e parë pse ne u bëmë bashkë është që këtë synim të kahmotshëm të shqiptarëve ta ngremë në nivelin më të lartë të përfaqësimit. Duke besuar se anëtarësimi i plotë në BE është jo vetëm prirja e qytetarëve, por edhe zgjidhja e vetme e nyjës së tranzicionit të gjatë e të stërmundimshëm që na i zbrazi vatrat tona, ne jemi këtu të deklarojmë se integrimi në Bashkimin Europian është synimi parësor i koalicionit Lidhja Europiane për Ndryshim. Zaten, çfarë kuptimi kanë ndryshimet sot nëse ato nuk janë europiane?!

Megjithatë, këtu më duhet të them dhe një gjë: dallimi mes nesh dhe të tjerëve që flasin në temën e integrimit europian, ndërsa ju e dini se kush janë ata, është se për ne integrimi në BE nuk është slogan pa përmbajtje dhe, e dyta, për ne është shumë e rëndësishme se me kë bëhet ky integrim europian. Nëse ata besojnë se integrimi europian bëhet edhe duke e amnistuar Nikolla Gruevskin dhe kriminelët e listave të zeza, ne kemi dallime të patejkalueshme. Në atë mënyrë ata mund të integrohen në ndonjë union tjetër, por jo në unionin që e synojmë ne në Bruksel.
Përveç anëtarësimit në BE, në këtë deklaratë e kemi theksuar qartazi se po kaq është i rëndësishëm edhe thellimi i partneritetit tonë me SHBA-në, si aleati ynë më i madh, si mbështetësi ynë në të gjitha proceset dhe si miku më i sinqertë i shqiptarëve në kapërcyell të shekujve. Që nga koha e presidentit Wilson, që e hapi rrugën e vetëvendosjes së kombeve, kur shqiptarët vatranë këndonin se “I ke djemtë në Amerikë”, e deri te presidenti Klinton, që i doli zot shpëtimit të kombit tonë, miqësia shqiptaro-amerikane ka qenë dhe mbetet e përhershme, andaj është kaq e vlefshme dhe e pazëvendësueshme edhe për ne sot.

Gjëja e dytë që dua ta theksoj është se ky koalicion është ndërtuar si alternativë për ndryshime europiane, që nënkuptojnë ndryshime në sistemin vleror dhe demokratik, ndryshime, përmes reformave, në sistemin e drejtësisë, ndryshime në standardin e jetesës së qytetarëve, ndryshime në sistemin arsimor, kulturor, por edhe në sistemin social e shëndetësor. Thjesht, është koha e fundit që ne të fillojmë të besojmë se do të bëhemi qytetarë europianë madje edhe para se të bëhet Maqedonia e Veriut anëtare e Bashkimit Europian. Këtë e meritojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë, ndërsa shqiptarët e kanë ëndërr që ne e kemi marrë përsipër ta kthejmë në realitet.

Mirëpo, duke u përballur me një pushtet që tashmë 20 vjet e ka refrenin plot me integrim, ndërsa strofat i ka të mbushura me korrupsion e me krim, më duhet të them se për ne beteja kundër korrupsionit është prioriteti ynë më i lartë. Përveçse vlerë europiane, kjo është para së gjithash kërkesë e jona e brendshme që, përmes sanksionimit kushtetues, të vendosim dispozita që të gjithë ata që janë të korruptuar në çfarëdo mënyrë asnjëherë të mos mund t’i ikin ligjit. E di se kjo bie ndesh me atë që e ka ndërtuar ky pushtet, por prandaj ne jemi Lidhje Europiane për Ndryshim. Ky është dallimi mes nesh dhe atyre.

Në fund të kësaj liste, jo për nga rëndësia, por vetëm për nga radhitja, është kujdesi ynë për familjen shqiptare. Ne vazhdojmë të besojmë se vetëm familja tradicionale është garanci për shpëtimin e kombit. Kështu ka qenë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e Ymer Prizrenit dhe kështu do të jetë edhe me Lidhjen Europiane për Ndryshim. Le ta dinë mirë të gjithë ata që duan ta dëmtojnë familjen tonë shqiptare se janë në luftë me ne, me Lidhjen Shqiptare dhe me të gjithë shqiptarët.

E të bindur se ky është shtegu i vetëm nëpër të cilin duhet të kalojë Maqedonia e Veriut, ndërsa për shqiptarët është treni i fundit që të dalin nga letargjia 20-vjeçare e përfaqësimit nga politikanë tashmë të falimentuar, sot “Lidhja është gjallë” për t’i ngjitur shkallët e fundit të kësaj përpjekjeje, për ta ngritur në qiell flamurin e lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, që tashmë personifikohet në fitoren e re, që po gatuhet e qëndiset për pranverën e vitit që vjen, ndërsa emri i saj është Lidhja Europiane për Ndryshim.

Ju faleminderit!