May 28, 2024
BallinaMaqedoni

KShZ, të gatshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shprehen të gatshëm për mbarëvajtjen e këtyre dy palë zgjedhjeve në të njëjtën ditë.

Zëdhënësi i këtij komisioni, Admir Shabani, ekskluzivisht për RTVM2 ka theksuar se përveç përgatitjeve të zakonta që janë bërë, KShZ-ja po ashtu ka anashkaluar edhe anomalitë apo lëshimet minimale, të cilat ishin vërejtur në rrethinë e parë të zgjedhjeve.

“KShZ-ja gjatë kësaj periudhë dyjavore intensivisht është duke u përgatitë për t’i mbajtur zgjedhjet ditën e nesërme. I gjithë materiali zgjedhor, duke filluar nga fletëvotimet, nga procesverbalet, aparatet për identifikim biometrik të qytetarëve, dhe të gjitha materialet tjera që janë të nevojshme, tashmë të dorëzuara nëpër komisionet komunale fillimisht, dhe pastaj nëpër këshillat zgjedhore, dhe tashmë mund të konsiderojmë se procesi zgjedhor tashmë ka filluar. Në përgjithësi, KShZ-ja i ndërmori të gjitha hapat, na garantojnë që dita e nesërme do të shkojë në mënyrë më të mirë të duhur.”, – deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.

Shabani po ashtu shtoi se për një proces të rregullt zgjedhor nuk duhet të jetë e përgatitur vetëm KShZ-ja dhe institucionet shtetërore, por këtë proces duhet ta ndihmojnë edhe qytetarët, por edhe nga vet garuesit në zgjedhje.

“Nga pjesa tjetër varet shumë nga qytetarët, nga garuesit në zgjedhje, të cilët detyrimisht duhet t’i respektojnë rregullat për zgjedhje, me qëllim që në përgjithësi të gjithë së bashku të kontribuojmë për të mirën zgjedhore. Kuptohet, këtë periudhë e shfrytëzuam për t’i analizuar edhe raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, analizë e cila na ndihmoi që të përgatitemi edhe më tepër për realizimin e zgjedhjeve të ditës së nesërme.”, – theksoi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.

Nga KShZ-ja po ashtu kanë shprehur se janë bërë përgatitjet maksimale edhe në përpunimin e sa më të shpejtë të rezultateve zgjedhore, e të cilat sipas Shabanit, diku para mesnatës, KShZ-ja mund të dalë me rezultatet preliminare.

Nga KShZ-ja kanë theksuar se të mërkurën, që nga ora 07:00 e mëngjesit do të hapen të gjitha 3.480 vendvotime në 80 komunat e vendit, ku të drejtën e votës do ta kenë mundësi ta realizojnë 1 814 317 votues për zgjedhjet presidenciale dhe 1 815 350 për zgjedhjet parlamentare, kutitë e votimeve do të mbyllen në ora 19:00, ndërsa shumë shpejtë do të inkorporohen edhe votimi i personave të moshuar dhe atyre të cilët janë të palëvizshëm, të sëmurët, apo atyre të zhvendosur./TVM2