April 30, 2024
Kosovë

Kryeministri Kurti viziton Nesrete Kumnovën, i premton mbështetje

Në 24-vjetorin e zhdukjes me forcë të Albion Kumnovës dhe pesë burrave të tjerë nga Gjakova, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjen Kumnova, ku u prit nga znj. Nesrete Kumnova, udhëheqëse e shoqatës “Thirrjet e nënave”.

Në dhomën e mbushur plot me kujtime të të birit ende të zhdukur, Nëna Nesrete kujtoi marsin e 1999, kur një javë pasi NATO filloi sulmet ajrore kundër Serbisë, Albioni, në atë kohë 21 vjeç, u mor nga shtëpia e tij, së bashku me pesë të afërm të tjerë civilë. Në prill 2011, eshtrat e personave që u morën bashkë me Albionin u gjetën në Batajnicë pranë Beogradit, dhe u rivarrosën në Gjakovë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës dhe për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet e luftës në Kosovë.

Në këtë vizitë, kryeministri Kurti shoqërohej nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.