Të shtëna, një i vrarë dhe një person i plagosur pranë Shtëpisë së Bardhë. Trump ishte brenda…
Mediat amerikane kanë raportuar për vdekjen e një personi, i cili më parë kishte shtënë në drejtim të agjentëve të Shërbimit Sekret, pranë Shtëpisë së Bardhë. Agjentët janë kundërpërgjigjur dhe e kanë qëlluar për vdekje këtë person, për të cilin thuhet se kishte hapur zjarr ndaj oficerëve në një pikë kontrolli pranë Shtëpisë së Bardhë.
“Oficerët e Shërbimit Sekret iu kundërpërgjigjën zjarrit, duke e goditur të dyshuarin, i cili u dërgua në një spital në zonë, ku më vonë vdiq”, cituan mediat amerikane nga deklarata.
Disa media amerikane raportuan se sulmuesi ishte një burrë 21-vjeçar nga shteti i Maryland. Ai kishte një histori problemesh të shëndetit mendor dhe ishte përleshur edhe më parë me agjentë të Shërbimit Sekret.
Por ende nuk ka informacion në lidhje me ndonjë motiv konkret të mundshëm. Dëshmitarët okularë folën për “dhjetëra” të shtëna. Një kalimtar thuhet se u qëllua gjithashtu në shkëmbimin e të shtënave, por për kalimtarin nuk dihet shumë deri tani. Shërbimi Sekret nuk komentoi për gjendjen e tij.
Gjatë të shtënave, Presidenti Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ai u rrethua nga forca të shumta sigurie pas të shtënave. Donald Trump nuk u prek nga incidenti, deklaroi drejtori i komunikimit të Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.
“Falë Zotit, Presidenti Trump është i sigurt”, deklaruan republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së pas të shtënave. “Mirënjohje e pafundme për Shërbimin Sekret për reagimin e tyre të menjëhershëm dhe heroik. Dhuna politike duhet të ndalet”, thuhet në deklaratë.
Para një muaji, më 25 prill, ndodhi një incident tjetër me të shtëna në Uashington, në margjinat e Darkës tradicionale të Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në të cilën mori pjesë Trump. Në dy vitet e fundit, Trump ka qenë në shënjestër të dy atentateve të tjera: Në korrik 2024 në Pensilvani dhe në shtator 2024 në Florida.
Bahri Cani


