May 21, 2024
Maqedoni

Kovaçevski: Takim liderësh nëse ka risi për procesin integrues

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendi të vazhdojë eurointegrimin nga pikëpamja ekonomike dhe nga pikëpamja e pozicionimit gjeostrategjik. Besoj se ne përfaqësojmë vlerat perëndimore dhe këtë duhet ta vlerësojmë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në radhë të parë për hir të qytetarëve tanë tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai potencoi se për këtë arsye do të vazhdojnë bisedimet në të gjitha nivelet për të siguruar mbështetje për këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm. Kryeministri tha se takimi I liderëve mund të bëhet në çdo kohë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Takimi I liderëve mund të bëhet në çdo kohë nëse ka diçka të re për vazhdimin e integrimeve evropiane ku do të diskutohen argumentet, ndërsa deputetët gjithsesi kanë komunikim të drejtpërdrejtë në Parlament. Ne nuk kërkojmë mbështetje për Qeverinë dhe nuk kam nevojë për mbështetje nga opozita për mua personalisht. Opozita ekziston për të mos e mbështetur kryeministrin dhe për të mos e mbështetur Qeverinë, por ka përgjegjësinë të mbështesë vizionin, synimin dhe strategjinë e qytetarëve dhe shtetit në cilin drejtim do të ecë”.

Kovaçevski theksoi se VMRO-DPMNE-ja deri më tani nuk ka përkrahur asnjë vendim strategjik të shtetit dhe shtoi se tani është momenti kur duhet të inkurajohen që të mbështesin një vendim strategjik që, siç tha ai, do të sigurojë një të ardhme më të mirë për qytetarët. Ai ka vlerësuar se takimi i fundit i kryesisë ka qenë i suksesshëm.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Por ajo që u tha publikisht në konferencën për media më vonë nuk u konfirmua përfundimisht nga organet e VMRO-DPMNE-së, për dallim nga LSDM-ja, BDI-ja dhe të tjerët në koalicionin qeveritar që me vendimet e tyre vërtetuan pikërisht atë që u tha në atë mbledhje kryesuese”.

Kovaçevski theksoi se Komisioni Evropian mirëpret fillimin e procesit për ndryshime kushtetuese në vend. Ai tha se sa i përket amendamenteve kushtetuese, nuk ka komente për përmbajtjen e amendamenteve, sepse ato nuk ndërhyjnë në asnjë çështje identitare të popullit maqedonas, por përkundrazi, forcojnë karakterin multietnik të shtetit.