Maqedoni

Kovaçevski – Pamer: Tani është momenti të vazhdohet përpara, sepse qytetarët tanë meritojnë të ardhme evropiane

Kryeministri Dimitar Kovaçevski realizoi takim me ambasadorin e ri austriak, Martin Pamer ku u bisedua për marrëdhëniet bilaterale, por edhe për çështjet aktuale me rëndësi për perspektivën e shtetit.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, në takim u cek edhe mbështetja e Austrisë për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin eurointegrues, si shembull i një shteti funksional, multietnik dhe multireligjioz në Evropë, i cili kontribuon për stabilitetin në rajon dhe në Evropë.

Bashkërisht u konstatua se tani është momenti të vazhdohet përpara, sepse qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë cilësi evropiane të jetës dhe të ardhme evropiane.

Kovaçevski i dëshiroi mandat të suksesshëm ambasadorit Pamer, duke cekur se përvoja e tij e pasur diplomatike dhe njohja e rajonit do të kontribuojë për pasurimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes dy shteteve.

“Bashkarisht u afirmua miqësia e fuqishme dhe shumëvjeçare mes dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 30 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Posaçërisht është cekur bashkëpunimi i suksesshëm ekonomik, që e dëshmon fakti se Austria është investuesja mëe madhe e huaj në shtetin tonë”, thonë nga Qeveria.