May 7, 2024
Maqedoni

Kovaçevski mohon skenarin për bojkot më 8 maj

Kreu i LSDM-së Dimitar Kovaçevski mohon kategorikisht zërat që thonë se partia e tij përgatit skenarë për bojkotim të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, pak ditë pas rezultatit jo të favorshëm në rrethin e parë. Ai thotë se fton qytetarët të dalin në votime. Nga ana tjetër, sa i takon përgjegjësisë për rezultatin, Kovaçevski thotë se LSDM-ja do të ketë kongres llogaridhënës dhe me pas zgjedhje brendapartiake. Kreu i LSDM-së nuk potencon nëse kërkon mbështetje nga ndonjë parti konkrete për rrethin e dytë dhe ju referua deklaratës së Pendarovskit.

“Ai shumë qartë e tha se do ta kërkojë mbështetjen nga qytetarët dhe jo nga kandidatët që nuk u plasuan në rrethin e dytë. Sa u takon bisedimeve me partitë politike, është normale se si kryetar i LSDM-së, kam edhe unë por edhe kemi bisedime me partitë politike në disa nivele dhe i ftojmë të gjithë në dalje masive në zgjedhjet më 8 maj dhe të zgjedhim president me të cilin do të kemi të ardhme të sigurt evropiane”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja nuk e fsheh që synon mbështetjen e votuesve shqiptar në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Nga partia e Mickoskit thonë mjaft vota nga etnitë e tjera kanë marrë edhe në rrethin e parë.

“VMRO-DPMNE-ja ua shtrin dorën të gjithëve. Është momenti që të bashkohemi rreth idesë që më të mos funksionojmë si deri më tani por të investojmë në liri të vërtetë, mirëqenie të vërtetë dhe bashkëjetesë të vërtetë, veçanërisht në njësinë e gjashtë zgjedhore. Është koha që bashkë t’i kundërvihemi krimit dhe Maqedoninë ta bëjmë tonën dhe krenare”, u shpreh Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Edhe partitë shqiptare vijojnë aktivitetet në terren për të siguruar më shumë mbështetje në zgjedhjet parlamentare. Të pyetur për mundësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese menjëherë pas zgjedhjeve dhe para formimit të qeverisë, kreu i Besës Bilall Kasami thotë se ndryshimet do të ndodhin pavarësisht se me cilën parti do të bëjnë koalicion.

“Në një qeveri ku do të jetë koalicioni VLEN, sigurisht që ajo do të jetë një qeveri që do të garantojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe sigurisht që e kemi thënë edhe më herët që në një qeveri të tillë do të jetë shumë më lehtë, qoftë me VMRO-në ose me cilëndo parti politike, të bëhen ndryshimet kushtetuese. Prandaj ne kur themi se do të bëhen ndryshimet kushtetuese, nuk jemi si BDI që për dhjetë vite qeverisi me VMRO-në dhe nuk e bëri hapin më të vogël drejt integrimit në BE”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Dy kandidatët për president Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski do të përballen përsëri në rrethin e dytë, në të njëjtën ditë kur partitë politike do të masin forcat në zgjedhjet për deputetë. Të pakënaqurit me rezultatin e 24 prillit thonë se do të bëjnë përpjekje ta rrëzojnë atë, kurse ata që ishin të kënaqur me rezultatin  thonë se do të bëjnë përpjekje për ta ruajtur atë. /Alsat.mk