New York – Çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ishte një nga temat kryesore të ngritura gjatë takimit në New York me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së.

Gjatë takimit, në të cilin morën pjesë edhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, u diskutua për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat ata përballen në raport me institucionet e Serbisë.
Në veçanti, në takim u ngritën shqetësimet për nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe sektorin e shëndetësisë, si dhe për pasivizimin e adresave, pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë.

Një theks i veçantë iu kushtua pasivizimit të adresave, praktikë që ka qenë prej vitesh një nga shqetësimet kryesore të përfaqësuesve politikë shqiptarë në Luginë. Po ashtu, u diskutua për pasojat që kanë këto politika në përfaqësimin institucional, punësimin dhe qasjen e shqiptarëve në shërbimet publike.

sqShqip