Qeveria suedeze ka njoftuar se pjesë të mbështetjes për autoritetet shtetërore në Serbi do të ndërpriten dhe se mbështetja do të drejtohet në një masë më të madhe drejt forcimit të shoqërisë civile, duke argumentuar se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të respektuar sundimin e ligjit.
Në një njoftim për shtyp, Qeveria Suedeze theksoi se “zhvillimet në Serbi kanë shkuar në drejtimin e gabuar”.
“Kjo vlen për gjithçka, nga korrupsioni në rritje deri te dështimi për të mbështetur parimet e sundimit të ligjit. Vendet nuk mund të presin mbështetjen suedeze nëse nuk zbatojnë reformat dhe zhvillimin që presim ne. Kjo është arsyeja pse po bëjmë tani këto ndryshime”, tha Ministri i Ndihmës për Zhvillim dhe Tregtisë së Jashtme, Benjamin Dousa.
Në në njoftim për shtyp ai tha se qeveria po monitoron nga afër zhvillimet në Serbi dhe, për njëfarë kohe, ka vënë re mangësi në angazhimin e qeverisë serbe për reforma.
“Kjo vlen në veçanti për punën për të mbështetur parimet e sundimit të ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore, siç janë liria e shprehjes dhe e shtypit”, thuhet në deklaratë.
Prandaj, qeveria ka vendosur, në përputhje me parimet e zgjerimit të BE-së bazuar në meritë, të pezullojë disa forma të mbështetjes për shtetin serb dhe në vend të kësaj të rialokojë burimet për të forcuar shoqërinë civile.
Sipas të dhënave zyrtare, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim, Sida, shpërndau 152.4 milionë suedezë korona, rreth 14 milionë euro, ndihmë për Serbinë në vitin 2024. Rreth 52% e ndihmës iu shpërnda shoqërisë civile dhe rreth 18% institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë “e priti me keqardhje njoftimin” e Suedisë për uljen e ndihmës.
Deklarata pohon se “është arritur përparim i matshëm në shumë fusha”. Shtohet se “çdo vlerësim i përpjekjeve për reforma pritet të bazohet në tregues realë, jo në narrativa politike apo interpretime mediatike”.
Sakaq, Suedia “e monitoron nga afër situatën në Serbi dhe ka vënë re për njëfarë kohe mungesën e angazhimit ndaj reformave nga qeveria serbe”, duke përfshirë edhe në fushën e mbrojtjes së lirive themelore si liria e shprehjes dhe shtypi.

