Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami në intervistën për Alsat-M ka thënë se shqyrtohet si një nga opsionet që VLEN më 9 maj, Ditën e Evropës ta mbajë Kongresin e parë.

“Besoj në bazë të dakordimit është bërë grupi i punës ku do të bisedohet për platformën, programin, statutin dhe gjithë atë që do të jetë VLEN si një subjekt. Është prilli, maji si opsion i Kongresit të parë të VLEN-it, pra një nga opsionet është 9 Maji, Dita e Evropës që të mbahet Kongresi i parë”, ka thënë Kasami, duke shtuar se fokusi është Evropa dhe do mbetet e tillë, jo vetëm e VLEN-it, por edhe VMRO-së dhe partive tjera.

Lidhur me rikonstruimin e qeverisë, Kasami tha se atë që e ka thënë kryeministri në vazhdimësi, është një marrëveshje mes VMRO, VLEN dhe ZNAM dhe sigurisht do të jetë i bazuar në një marrëveshje të re se cilat dikastere do të zëvendësohen.

“Që do të thotë se propozimet e ministrave se kush do të përfshihet do ta bëjnë përsëri subjektet dhe koalicionet që kanë propozuar ato ministra. Në rikonstruim do të kërkojmë disa ndryshime”, ka thënë Kasami.

Sipas tij, është e mundur edhe ndryshimi i dikastereve edhe brenda VLEN edhe me partitë tjera.
“Jemi të hapur edhe për këto biseda”, ka thënë Kasami.

Kasami: Korridori 8 do të kalojë nga Struga

Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në një intervistë në Alsat, ka folur për Korridorin 8, ku tha se ky projekt i madh infrastrukturor do të kalojë edhe kah qyteti i Strugës.

“Nuk di ndonjë korridor tjetër ku do të kalojë Korridori 8. Duhet të bëjmë distinkcion të qartë në mes zgjidhjes teknike, dhe projektit si interes strategjik i vendit që lidh disa vende të NATO-së dhe BE-së. Është ndër korridoret më të rëndësishme të vendeve pan-evropiane, pjesë e të cilit do të jetë edhe Maqedonia e Veriut. Të thuhet se Korridori 8 nuk do të kalojë kah Struga nuk është informacion i saktë”.

“Është çështje të cilën na e ka lënë si problem qeveria paraprake. Se Korridori 8 nuk do të kalojë kah Struga nuk e ka thënë as kryeministri. Ky korridor lidh shqiptarët e Maqedonisë me ata të Shqipërisë, por përskaj kësaj ky është projekt i rëndësishëm edhe për Maqedoninë e Veriut. Sa është i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë, aq i rëndësishëm është edhe për Maqedoninë”, tha mes tjerash Kasami.

Kasami tha se nuk do të ndryshohet trajektorja e Korridorit 8 dhe se po punohet me intensitet të lartë.

Kasami: Nevojitet përkrahje nga Brukseli e Uashingtoni për zgjidhjen e problemeve bilaterale me Bullgarinë

Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami duke folur për ndryshimet kushtetuese ka thënë se nevojitet përkrahje nga Brukseli dhe Uashingtoni për t’i zgjidhur problemet e mbetura bilaterale me Bullgarinë për të ecur procesi përpara.
Në intervistën për Alsat- M, Kasami ka thënë se procesi eurointegrues është një proces i dyanshëm që varet si nga Shkupi ashtu edhe Brukseli e që është një fakt i pamohueshëm.

“Ndryshimet kushtetuese patjetër varen nga partia e cila ka mbi 40 deputetë, në këtë rast kjo është VMRO-DPMNE që ka mbi 40 deputetë dhe derisa ndryshimet kushtetuese kërkojnë dy të tretat, mund të thuhet se varen nga ajo. Për mua nuk është ndonjë risi, sepse Maqedonia e Veriut ka pritur me dekada derisa ka arritur në këtë nivel”, ka thënë Kasami.

Shton se takohen me kryeministrin Mickoski, kanë komunikim të rregullt ku i bisedojnë këto çështje si partner koalicioni.

“Në takimin e fundit e kemi biseduar hapur këtë çështje dhe kemi arritur në konkluzion se nuk është vetëm interes dhe gatishmëri ekskluzive e njërës anë, është interes i dyanshëm integrimi në BE i kësaj pjese të mbetur të Ballkanit, e kemi biseduar edhe rastin që është shumë më ndryshe se situata e Maqedonisë së Veriut siç është rasti i Shqipërisë e cila nuk ka ndonjë çështje të hapur me ndonjë shtet fqinj”, ka thënë Kasami.

sqShqip