May 21, 2024
Maqedoni

Komuna e Haraçinës hesht për kërcënimin

Policia thotë se po merr masa për zbardhjen e kërcënimeve me jetë ndaj kryetarit të komunë së Haraçinës. Ishte vet Ridvan Ibrahimi, i cili një ditë më parë bëri denoncimin në polici se dikush e ka kërcënuar me jetë, përderisa ai nuk ishte prezent në godinën e komunës. Shërbimet policore me të marr informacionin dalin në vend ngjarje, ku kanë intervistuar nëpunësit që ishin dëshmitarë të ngjarjes dhe nga kamerat e sigurisë kanë identifikuar personin, i cili bëri kërcënim verbal, por nuk dihet nëse atë moment ka qenë i armatosur. Sipas dëshmitarëve janë dëgjuar të bërtitura dhe sharje, ndërsa policia ka penguar një grup personash të futën brenda objektit të komunës së Haraçinës.

“Të martën në ora 14,37 personi me iniciale R.I. kryetari i Komunës së Haraçinës denoncoi në SPB-Shkup se deri sa nuk ishte prezent në objektin e komunës, personi R.A. para të pranishmëve të tjerë bëri kërcënime me jetë për kryetarin e komunës, sepse nuk ishte i kënaqur me punën e komunës në lidhje me lëndën, për të cilën personi ishte palë. Po merren masat për zbardhjen e rastit,” deklaruan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky nuk ishte tentimi i parë për sulm ndaj kryetarit të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi. Mësohet se bëhet fjalë për grupin e njëjtë, i cili pak muaj më parë sulmoi Ibrahimin në komunë.