Kanë kaluar 19 vjet nga zhdukja misterioze e Beti Grnçarovskës nga Tetova, një rast që dikur tronditi opinionin në vend, ndërsa sot ka filluar të zbehet nga kujtesa e publikut, shkruan kurir.mk, përcjell tetova1
E vërteta për fatin e gruas 38-vjeçare ende nuk është zbardhur. Beti ishte larguar nga shtëpia me pesë çanta, ndërsa njëra prej tyre kishte rreth 140 mijë euro. Paratë i kishte siguruar pasi kishte shitur lokalin e saj në Tetovë, ndërsa kishte planifikuar të niste një jetë të re në Split të Kroacisë.
Para se të largohej gjatë natës, Beti i kishte treguar nënës së saj, Ratka Kolevës, se një mik nga Tetova do ta priste në Shkup. Ajo u nis me taksi dhe nuk kishte dashur që nëna dhe vëllai i saj ta shoqëronin. Sipas rrëfimit të familjes, Beti kishte thënë se nuk dëshironte përshëndetje apo përcjellje.
Më pas, ajo kishte telefonuar në shtëpi dhe kishte njoftuar se kishte mbërritur në Shkup.
Taksisti e kishte lënë para qendrës tregtare “Beverly Hills”. Ajo ishte telefonata e fundit që Beti kishte bërë me nënën e saj.
Ndërkohë, personi me të cilin Beti supozohej të takohej në Shkup dhe më pas të udhëtonte drejt Kroacisë, kishte deklaruar se nuk kishte pasur një marrëveshje të tillë me të dhe se nuk dinte asgjë për zhdukjen e saj.
Në një intervistë televizive të dhënë rreth 15 vite më parë, nëna e Betit kishte rrëfyer se vajza e saj ishte e vendosur të ndërtonte një jetë të re në Kroaci. Ajo i kishte thënë edhe vëllait të saj se do ta merrte me vete.
Familja kishte shpresuar se Beti do të arrinte të realizonte planet e saj për të ardhmen. Nëna e saj kishte deklaruar se ishte e bindur se vajza ishte rrëmbyer.
Në atë kohë, institucionet përgjegjëse kishin bërë të ditur se hetimet për rastin ishin në vazhdim. Megjithatë, edhe pas 19 vitesh, zhdukja e Betit mbetet e pazbardhur.
Fotografia dhe të dhënat personale të saj janë publikuar edhe në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme për personat e zhdukur.
Sipas të dhënave zyrtare, Beti Grnçarovska ka lindur më 21 janar 1968 në Tetovë, ku edhe ka jetuar. Ajo ishte 175 centimetra e gjatë, me flokë të zeza dhe kishte protezë dentare.
Ajo rezulton e zhdukur më 12 gusht 2007 në Shkup.
Pas kaq vitesh, fati i Betit vazhdon të mbetet një mister, ndërsa pasiguria për atë që i ka ndodhur mbetet një plagë e hapur për familjarët e saj./tetova1.mk


