Tragjedi në familjen shqiptare në SHBA/ Zjarri shkrumbon shtëpinë, humbin jetën 3 fëmijë
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Jacksonville të SHBA-së, ku një familje me origjinë nga Lushnja është përfshirë nga një zjarr në banesën e saj.

Tre fëmijë humbën jetën në flakët që përfshinë banesën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ndërsa dy prindërit dhe dy fëmijë të tjerë ndodhen në spital në gjendje kritike.

Sipas autoriteteve lokale, alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:13, në zonën e Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Ekipet zjarrfikëse mbërritën rreth katër minuta më vonë dhe gjetën flakë të mëdha në katin e parë të banesës, ndërsa kati i dytë ishte përfshirë nga tymi i dendur.

Shefi i zjarrfikësve të Jacksonville, Percy Golden, tha se dy të rritur dhe dy fëmijë kishin mundur të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës.

" "

Një fqinj ka treguar një moment dramatik të ngjarjes, duke thënë se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë, ku u kapën nga persona që ndodheshin jashtë.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, brenda banesës u gjetën tre fëmijë pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.

Viktimat dhe të mbijetuarit u transportuan menjëherë në spital, ndërsa ekipet e Kryqit të Kuq janë angazhuar për të ndihmuar familjarët dhe personat e zhvendosur nga zjarri.

Familja e prekur, e identifikuar si familja Manati, është me origjinë nga Lushnja.

Kushërira e familjes, Alessia Firi, ka hapur një fushatë në GoFundMe, e cila deri në momentin e raportimit kishte mbledhur më shumë se 89 mijë dollarë për shpenzimet mjekësore dhe funeralet.

“Familja dhe komuniteti i tyre janë plotësisht të pikëlluar ndërsa përballen me dhimbjen e padurueshme të kësaj humbjeje, ndërkohë që mbajnë shpresën për shërim dhe rimëkëmbje”, shkroi Firi në përshkrimin e fushatës.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e zjarrit

sqShqip