April 26, 2024

Shkruan: DAIM ILAZI

Shumë kush e ka lexuar romanin,,Hasta la vista,, roman që të len pa frymë i shkruajtur nga i mallkuari në vendlindjen e tij, Kolosi i letrave Petro Marko. Ky gjigand i letërsisë, u lind më1913 në Dhërmi dhe vdiq në Tiranë më 1991. Ishte poet, gazetar, publicist,poliglot, interbrigadist, dramaturg, shkrimtar e njeri shumë i madh. Në vitin 1936 boton revistën ,ABC,, bashkë me Branko Merxhanin, Tahir Zavalanin,Migjenin etj. Më 1937 vjen në Paris ku takohet me Ali Kelmendin. Caktohet kryetar i grupit 113 vetësh në Brigatat internacionale ,,Garibaldi,, në Spanjë.Mer pjesë ne mbledhjen e shkrimtarëve antifashist ne Valencia,Spanjë, ku ishin edhe Ernest Hemingway, Pablo Neruda, etj. Në vitin 1940 vjen në Shqiperi dhe mer pjesë aktive në luftën për çlirimin e atdheut.Në një kontrol policor në shtëpi,në Tiranë në vitin 1947 i gjejnë dorëshkrime, tekste jashtë vijës Partisë, dhe vet tregon se Hysni Kapo e shpëtoi nga pushkatimi dhe u lirua nga burgu më 15 maj 1950. Vdiq më 27 dhjetor 1991 në Tiranë dhe varroset sipas amanetit me një ceremoni nga familja e ngushtë e tij.
Petro Marko tregon: Po gjatë vitit 1970 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, pastaj Ali Aliu, me të cilin shkova edhe në fshat, Rexhep Qosja e të tjerë. Kur ishte këtu Esat Mekuli dhe të tjerët, flisnim për kulturën tonë dhe ata më pyetën nëse unë kisha ndonjë mendim për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Folëm e folëm, pastaj unë shfaqa mendimin se edhe gjuha letrare e Kosovës duhet të unifikohet me gjuhën tonë letrare. Më vonë erdhi këtu Ali Aliu dhe vendosi që të bënte një biografi për mua. E shpura në fshat, te shtëpia ime. Ai u mahnit me bukuritë e natyrës bregdetare dhe më tha: “Tani e kuptoj pse shkruan në mënyrë çapkëne poetike plot ngjyra dhe me një horizont të gjerë.” Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha” për jetën e veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën.
Në Kosovë, nën redaktimin e Ali Aliut, u botuan nëntë vepra të miat, në një kohë kur këtu në Shqipëri as që përmendje gjëkundi emri im si krijues. Në Kosovë jam më i njohur se këtu, falë punës së madhe që ka bërë shtypi dhe kritika. Edhe “La Rousse” i Francës (më 1969) më kishte vënë si shkrimtar shqiptar, që kam shkruar “Hasta la vista” e vepra të tjera, kurse këtu as që guxonin të vinin emrin tim në ndonjë botim shkollor. Urdhri që të mos përmendej emri im si shkrimtar në asnjë gazetë, revistë ose mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte ardhur nga lart. Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku me sa munda luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes i një pjese të mirë të poetëve latino-amerikanë. Kurse në Kosovë janë ribotuar veprat, si: “Hasta la vista” (botimi i katërt), që ka një parathënie të mrekullueshme të Rexhep Qoses, “Shpella e piratëve” për lexime letrare në shkollë.
Për mua në Kosovë krijimtaria artistike është shumë më përpara se krijimtaria jonë e realizmit socialist. Me gjithë shtypjen serbe dhe masat e rrepta që janë marrë e merren kundër njerëzve të artit në Kosovë, aty arti i çdo gjinie, mund ta them me plot gojën, është më i pasur se arti ynë i persekutuar dhe i kanalizuar.
Nuk më harrohet një episod: Ishte muaji i letërsisë që bëhej në çdo tetor (se në tetor ka lindur Enver Hoxha) dhe unë u caktova me dy shokë të shkonim në Berat. Aty, në mbrëmjen letrare që u bë në kombinatin e tekstileve, bënin shumë pyetje, midis të cilave dhe këtë: “Cili është shkrimtari më i mirë i Shqipërisë?” Dhe një shok nga të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve që ishte me ne, iu përgjigj: “Shkrimtari më i madh i Shqipërisë është Enver Hoxha.”
Unë mendoja dikur se veprat më të mira të letërsisë shqiptare janë shkruar në të gjitha kohët jashtë Shqipërisë: Noli, Konica, Çajupi, Naimi, Asdreni, Lasgushi, si dhe gjithë kosovarët e shquar krijimet e tyre më të mira i kanë bërë larg Atdheut! Është e vërtetë se Fishta, Mjeda, Ali Asllani, Migjeni e të tjerë kanë krijuar këtu, po kishin qenë shumë herë jashtë Atdheut nëpër Europë ose për studime, ose për të punuar… Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odhise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë.
Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie, që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë…
Shikoj Safon time, artiste, për mua jashtëzakonisht e talentuar, e cila ka punuar e punon akoma për të mbajtur shtëpinë. Dhe kujtoj ëndrrat e saj për udhëtime, për tablotë, për ngjyrat, për idetë, për ekspozitat. Nuk u realizua kurrë ëndrra e saj për të vizituar Luvrin, galerinë e famshme të artit në Firence, që ishin aq afër dhe që ia kisha premtuar kur u njohëm! Shikoj të dy fëmijët e mi, të dy artistë. Dhe mendoj: Si iku kjo jetë kështu?!
Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektojnë si shkrimtar e si luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. …