April 29, 2024
Kulturë

Elena Gjika, intelektuale e lartë e poliglote me prejardhje shqiptare

Nga: DAIM ILAZI

Elena Gjika ishte intelektuale e madhe me reputacion evropjan.Ne kujtojmë 195 vjetorin e lindjes Ajo u lind me 22 janar 1828 në Bukuresht. Ajo ishte e bija e Mihal Gjikës (1794 – 1850), vëllait të Princit të Vllahisë Grigor Gjika IV dhe e Katarina Gjikës, lindur Faca (1809-1853). E ëma e saj, Katarina (Katinka), ishte një grua e shkolluar, e cila ka përkthyer në rumanisht librin “De l’éducation des enfants” (Edukimi i fëmijëve – 1839) shkruar nga mësuesja franceze Henriette Campan.

Elena Gjika mori një arsim të shkëlqyer, duke studiuar letërsinë së pari në Dresden, (Gjermani), pastaj në Vjenë (Austri), Venedik (Itali) dhe së fundi në Berlin ku diplomoi në fushën e letërsisë së vjetër greke te profesori gjerman Alexander von Humboldt. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj shqiptare nga qyteti i Pargës.

Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës.

Elena Gjika u kthye përsëri në vendin e saj në 1849 dhe u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Për disa vjet ajo jetoi në Rusi, kryesisht në Shën Petërsburg, por nuk i ushqeu pikëpamjet nacionaliste të burrit të saj rus, as fanatizmin Ortodoks të Oborrit të perandorit despotik Nikolla. Kur shëndeti i saj u përkeqësua në klimën ruse, ajo mori këshillën pastaj në një udhëtim nëpër Greqi dhe Anadoll. Përfundimisht, ajo u kthye në Itali, duke jetuar në një vilë në Firence. Gjika ishte pasionante për të njohur vende e kultura të ndyshme dhe shpesh udhëtonte për në Francë, Irlandë dhe Shtetet e Bashkuara.

Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht shkruante për mrekulli në frëngjisht) Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Ajo shkruante me emrin Dora D’Istria. Gjika botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjet e gjuhëve rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqisht (e vjetër dhe moderne) dhe rusisht, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj.

Në shkrimin Les femmes en Orient – “Gratë në Orient” (Zürich 1859, 2 Vëllime), ajo shkruante për emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor), në një tjetër, Des femmes, par une femme – “Rreth grave, nga një grua” (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime), ajo krahasonte gjendjen e grave në Evropën latine, me ato në Gjermani, dhe kërkonte me fjalë të forta trajtimin e barabartë të burrave dhe grave. Përpara kësaj, ajo botoi Ekskursions en Rouméllie et en Moree – “Ekskursione në Rumeli dhe More” (Zürich 1863, 2 Vëllime), ku ajo përpiqej të tregonte se Greqia e lashtë kishte të njëjtën detyrë civilizuese si Gjermania e kohës së saj.

Ajo gjithashtu botoi tregimin Au bord des lacs helvétiques – “Lundrim në liqenet zvicerane” (Gjenevë 1861), romanet Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima (Livorno 1867), Gli Albanesi in Rumenia, një histori e princëve Gjika, nga familja e saj, në shekujt e 17-të deri 19-të (Bot. II, Firenze 1873), dhe La poésie des Ottomans (Bot. II, Paris 1877), si dhe shkrime të shumta mbi historinë e letërsisë, poezisë, çështje politike, shoqërore dhe fetare, historike, arti etj. në revista të mirënjohura franceze (sidomos në Revue des Deux Mondes), belge Libre Recherche, italiane Diritto, Antologia nuova, Rivista europea etj. dhe revista zvicerane, greke, rumune dhe amerikane.
Elena Gjika ishte gjithashtu piktore. Ajo ishte anëtare e shumë shoqërive të studiuesve, të tilla si Akademia italiane, ajo u emërua edhe qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane.

Ajo ishte gjithashtu një alpiniste. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta dhe e “fotografoi” në të gjitha detajet nëpërmjet shkrimeve të saj të shumta që i botoi në revistat më prestigjioze të kohës.

Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht në botën e asaj kohe. Përkrahu me zell Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë e shkrimtarë të shquar shqiptar si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo shtjellonte mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ajo shkroi një varg studimesh në gjuhën frenge: Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore (La nationalité albanaise d’après les chants populaires, 1866), Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore (Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale, 1867), Shqiptarët në Rumani (Gli albanesi in Rumenia, 1873), etj., ajo potenconte dhe vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar për liri .

Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull : Dora d’Istrias-Shqiptarët (A Dora D’Istria – Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
Elena Gjika, një ndër gratë më të ndritura të Evropës dhe vdiq në Firencë më 17 nëntor 1888 në moshë relativisht të re 60 vjeçare.