May 8, 2024
Kosovë

Kandidati për president të Serbisë: Kosova është e pavarur, kush janë BE dhe ShBA që po ia konteston juridiksionin?

Që prej vitit 1999 kur Kosova u nda nga pushtimi shekullor i Serbisë, kërkesat absurde, trysnitë e pa para nga Bashkësia Ndërkombëtare, që Institucionet vetëqeverisëse kosovare ta privilegjojnë, madje të bëjnë diskriminim pozitiv ndaj minoritetit serb që nuk është më shumë se 5 për qind në Kosovë, nuk po ndalen.
Ato tashmë janë ashpërsuar sa që po kërkohet që të vetëmenaxhohen pavarësisht se ka një marrëveshje të vitit 2013 dhe atë 2015 që të themelohet një Asociacion për Komunat që janë të banuara me shumicë serbe.
E kjo në të ardhmen mund edhe t’i kushtoj shtetit të Kosovës, nga vendet e Bashkimit Evropian, sepse ka krijuar precedan të paparë sa i përket dhënies së të drejtave për komunitetet pakicë e që kanë edhe shtetet e BE-së.
Se Republika Demokratike e Kosovës po vuan nga një politikë e gabuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, duke u thirrur në ndihmën që e kanë ofruar gjatë luftës për çlirim, liri dhe pavarësi të Kosovës, po e pranon edhe Nikola Sandulloviç, ish-kandidati për president po ashtu është edhe pretendent që të marrë fronin e Presidentit të Serbisë, nëse shpallen zgjedhje të parakohshme atje.
Në intervistën ekskluzive për mediumin online “Arbresh.info”, Sandulloviç, situatën aktuale që po ndodh në veri të Kosovës, dhe qasjen të cilën e ka Bashkësia Ndërkombëtare karshi institucioneve kosovare, të cilat po pretendojnë ta shtrijnë juridiksionin e plotë në 4 komunat atje, po e sheh si rezultat i një politike krejtësisht të gabuar që është ndjekur prej vitesh nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Kjo sipas Sandulloviç vjen edhe si rezultat i dallimit të politikës së kaluar dhe të tashme ndaj Kosovës nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje ai shpreh habi të madhe për llojin e politikave të papërgjegjshme ato të cilat po evokojnë që kryetarët e komunave të kryejnë detyrat e tyre jashtë ndërtesës së komunës.
Sandulloviç ka thënë se si është e mundur kjo të ndodh kur Kosova tashmë është e pavarur dhe t’i kontestohet shtrirja e juridiksionit apo t’i kufizohet në pjesë të caktuara të territorit të saj?
Këtë qasje të BE-së dhe të ShBA-së Sandulloviç e sheh si paaftësi dhe krejtësisht të gabuar, madje duke i akuzuar si shkaktar që nuk dinë ta zgjidhin këtë problem, ose po duan të krijojnë një problem të ri për Kosovën.
“Nëse Kosova është shtet i pavarur dhe është, atëherë kush është ajo që e konteston juridiksionin e saj apo e kufizon atë në pjesë të caktuara të territorit të saj? Për mua kjo është një qasje krejtësisht e gabuar e grupeve nga BE dhe SHBA që nuk dinë ta zgjidhin këtë problem ose duan të krijojnë një problem të ri”, ka thënë Sandulloviç për ‘Arbresh.info’.
I pyetur se a ka rrezik të ndizet një luftë e re në Ballkan nga Serbia, duke e pa agresivitetin e Vuçiçit dhe deklaratat e tij, Sndulloviç për ‘Arbresh.info’ ka thënë troç, “Rreziku i një lufte të re në Ballkan ekziston gjithmonë përderisa në pushtet është Aleksandar Vuçiqi dhe ajo pjesë e politikës së prapambetur të Millisheviqit, dhe ata që bëjnë koalicion me të dhe qeverinë aktuale në Serbi.
Madje Sandulloviç e sheh si të pa kuptimta interpretimet përmes analizave të ndryshme se ai nuk duhet të shkaktojë përsëri konflikte në Ballkan, pasi janë krejtësisht të gabuara dhe të pabaza për faktin se kjo është e vetmja rrugëdalje e tij nga trekëndëshi politik i gënjeshtrave në të cilin u gjend BE-ShBA përball Kinës dhe Rusisë.
Sandulloviç një luftë të mundshme të nisur nga Vuçiç e sheh në momentin kur ai nuk do të mund t’i shantazhojë më përfaqësues të korruptuar të BE-së dhe SHBA-së, atëherë presidenti aktual serb do të nisë një konflikt të ri në Ballkan me urdhër të Rusisë, pavarësisht nëse shkaku është Kosova apo Republika Srpska.
“Në momentin e munguar, kur ai nuk do të mund të tregtojë më me shantazhe me përfaqësues të korruptuar të BE-së dhe SHBA-së, ai do të nisë një konflikt të ri në Ballkan me urdhër të Rusisë, pavarësisht nëse shkaku është Kosova apo Republika Srpska. , dhe në këtë mënyrë t’i sigurojë vetes, me ndihmën e Rusisë, më shumë kohë në pushtet dhe më vonë një arratisje të sigurt. Është thjesht e pamundur që komuniteti i inteligjencës amerikane dhe BE-ja nuk kanë ardhur në njohuri dhe skenarë të tillë të mundshëm, prandaj mbështetja e tyre aktuale për Aleksandar Vuçiqin është një fatkeqësi edhe më e madhe”, ka thënë Sandulloviç për Arbresh.info.
Por, a po i hyjnë në ‘hak’ ndërkombëtarët Kosovës, kur po i kërkojnë që të dorëzohet para presionit të Vuçiçit, për Asociacion dhe mos dërgimin e kryetarëve të zgjedhur në objektet e Komunës, Sandulloviç e sheh ndryshe.
Ai thotë se nuk e quan hakmarrje sepse është i sigurt që nuk ka të bëjë asgjë me ‘Zajednicën’, mirëpo shton faktin se shumica dërrmuese e zyrtarëve të BE-së janë korruptuar prej vitesh nga Aleksandar Vuçiç, madje përmend me emra edhe zyrtarët amerikanë si Gabriel Escobar, Kyle Scott, Palmer, Grenell, Godfrey, dhe dyshon edhe për ambasadorin e ShBA-ve që është aktualisht në Serbi, Christopher Hill.
“Shtojë faktin se, shumica dërrmuese e zyrtarëve të BE-së janë korruptuar prej vitesh nga Aleksandar Vuçiç dhe siç mund të shohim disa përfaqësues të SHBA-ve si Kyle Scott, Godfrey, Grenell, Palmer, Escobar dhe ndoshta edhe vetë Christopher Hill, jep tablonë e duhur se pse Kosova tani po vuan kaq shumë presione dhe shantazhe sipas Albin Kurtit”, ka thënë Sandulloviç.
Në përgjigjet e tij Sandulloviç thotë se nuk mund ta kuptoj pse do të kishte një problem të tillë ku plotësisht është e qartë se fillimisht duhet të njihet integriteti dhe shtetësia e Republikës së Kosovës, që pastaj shteti i pavarur i Kosovës i njohur legjitimishtë nga Serbia, si shtet t’i jepni disa lëshime dhe garanci në përputhje me kushtetutën e Kosovës që do të ishte e vetmja dhe e vërteta e sekuencës së ngjarjeve dhe legjitimiteti juridik.
“Është plotësisht e qartë se fillimisht duhet të njihet integriteti dhe shtetësia e Republikës së Kosovës, që pastaj shteti i pavarur i Kosovës i njohur legjitimisht nga Serbia, si shtet jepni disa lëshime dhe garanci në formimin e ZSO-së, por në përputhje me KUSHTETUTËN e shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo është e vetmja dhe e vërtetë sekuencë e ngjarjeve dhe legjitimiteti juridik”, ka shtuar Sandulloviç.
Gjatë intervistës kryetari i partisë Republikane të Serbisë, ka folur edhe për përgjegjësit e dhunës në protestat e dhunshme që u urdhëruan nga Vuçiç, në katër komunat e veriut, zgjedhjet në Serbi, pse nuk po arrin ta bind votuesin serb dhe Bashkësinë ndërkombëtare se është i duhuri për demokratizimin e Serbisë dhe si duhet të rrezohet nga froni presidenti autokrat i shtetit të tij./Pleurat Salihu/Arbresh.info/