October 15, 2024
Rajon - Botë

Kamionët e parë me ndihma hynë në Palestinë

Dy javë pas nisjes së luftimeve në Gaza, pikëkalimi kufitar mes Egjiptit dhe Gazës është hapur duke mundësuar dërgimin e ndihmave tejet të nevojshme humanitare për palestinezët, të cilët kanë mbetur pothuajse pa ushqim, ilaçe dhe ujë në territorin e tyre të rrethuar nga Izraeli.

Kamionët e ndihmës ishin nga ‘Gjysmëhëna e Kuqe egjiptiane’, sipas një zëdhënësi të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Kamionët me ndihma të OKB-së pritet të lëvizin përmes pikës kufitare në Gaza të hënën, tha zëdhënësi i OKB-së për CNN.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se si pasojë e bombardimeve, që nga 7 tetori janë vrarë të paktën 4,385 persona dhe 13,651 janë plagosur. Nga numri i përgjithshëm i viktimave 1,756 ishin fëmijë dhe 976 gra, shtoi ministria e shëndetësisë.

Autoritetet lëshuan gjithashtu një deklaratë duke kritikuar përjashtimin e karburantit nga ndihmat humanitare që dërgohen në Gaza. Ato argumentuan se do të vendoste jetën e të sëmurëve dhe të plagosurve në rrezik.

Ndërkohë mbrëmë Hamasi liroi dy pengje, shtetase amerikane 18 vjeçaren Natalie Raanan dhe nënës së saj Judith. Në video, nënë dhe vajza e saj duken të lodhura, por shumë të lumtura që më në fund arritën të dilnin shëndoshë e mirë nga ai ‘ferr’. Ato shihen të rrethuar nga njerëz të armatosur me jelek antiplumb dhe më pas duke u futur në një makinë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha në një samit të paqes në Lindjen e Mesme në Kajro se “ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm” të pengjeve të marra nga grupi militant palestinez në sulmin e tij të papritur të përgjakshëm ndaj Izraelit dy javë më parë, më 7 tetor. “Jemi shumë të shqetësuar për fatin e pengjeve, ka edhe italianë, dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, tha ajo në samit. Izraeli u ka bërë thirrje qytetarëve të vet të largohen menjëherë nga Egjipti dhe Jordania, tha Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Izraelit, pasi tensionet rajonale janë rritur jashtëzakonisht shumë si pasojë e luftës në Gazë. Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë. Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet e njerëzve”.