May 8, 2024
Maqedoni

Akademikët shqiptarë në Maqedoni dënojnë sulmet terroriste në Veri të Kosovës

Akademikët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dënojnë vrasjen e policit në Veri të Kosovës dhe sulmin mbi integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës të Kosovës
Hulumtimet tona tregojnë se një kohë të gjatë, në Serbi dhe jashtë saj, në mure, në rrugë, në manifestime të ndryshme sportive dhe politike, po shfaqen sllogane “Kur do të kthehet ushtria në Kosovë”. Këto sllogane bile edhe 30 metro te gjata i pamë edhe në Beograd, Nish, Smederevë, Sant Peterburg, Moskë, Bukuresht etj. Pra, vrasja e policit sot si edhe sulmi me Zola, nuk është vepër e grupeve kriminale, por është një akt i forcave paraushtarake dhe ushtarake. Këtu duket se kemi të bëjmë me një akt terrorist të sponzorizuar nga shteti. Këtë e thotë sot edhe analisti politik serb Dushan Janjiç. Kjo gjë po përgatitet dhe gatuhet me vite. Në fjalimet e Vuçiç, kjo strategji dhe nxitje lexohej qartë shumë herë. U përsërit si kërcënim edhe në fjalimin e fundit në OKB. Pra, kjo është ajo filozofi e radikalëve serbë, të cilët në këtë mënyrë nxitën luftërat në ish Jugosllavi dhe i humbën të gjitha: në Kroaci, Bosnjë, Kosovë. Ata bënë krime, vranë, dhunuan, dogjën, plaçkitën …duke e involvuar popullatën lokale serbe në këto akte të dhunës ekstreme. Pastaj, kur i humbnin betejat, urdhëronin popullatën lokale që të marrë traktorët dhe të niset për në Serbi. Fatëkeqësisht, edhe ky epizod ka gjasa të mëdha të mbarojë kështu.
Ne si hulumtues dhe njerëz që merremi me shkencë pyesim se a thua mundet një popull prej 2 milionësh të terrorizohet, të mbahet peng para botës, tani e 100 vjet për disa kisha të zbrazëta me disa murgj perverz? A thua këto mite pagane për Kosovën si djep i serbizmit, tani me 4% serb, arsyetuan ndjekjen e 1 milion shqiptarëve nga vatrat e tyre në vitin 1999?
Qëndrimet e profesorit Markoviq
Si shembull të këtij absurditeti, Akademia jonë do të jep argumentet e profesorit të shkencave politike Slobodan G. Markoviq. Ai thotë se askush nga serbët nuk e shqyrton faktin se deceniet e fundit shqiptarët jetojnë në Kosovë pa Serbinë. Ai po ashtu thotë se nuk ka të dhëna se serbët ndonjëherë atje kanë qenë shumicë. Markoviqi është i mendimit se përderisa nuk dihet në të kaluarën se serbët a kanë qenë shumicë në Kosovë dhe meqë kurrë nuk kanë qenë shumicë, ata e kanë humbur kredibilitetin e tyre për të zotëruar Kosovën. Duke dashur që të mbajnë në kontroll këtë tokë, shteti serb që moti e ka humbur karakterin demokratik. Nga statistikat e deritanishme, më e vjetër është ajo e Jozef Milerit e vitit 1838, në të cilën ai thotë se në Metohi jetojnë afro 60% myslimanë dhe 40% të krishterë (të krishterë në atë kohë shumica ishin shqiptarë) . Statistika Austrohungareze e vitit 1903 flet vetëm për 16,4 % serbë në Kosovë. Sipas profesorit Markoviq ky ka qenë edhe motivimi kryesor serb që me kontrollin e territorit, Serbia ta bëjë atë etnikisht me shumicë serbe. Kosova është konstruktuar me kuptimin e sotshëm së pari nga Petar P. Njegosh dhe Vuk Karaxhiq e pastaj nga komunistët në vitet 80, kur u krijua Kosova si vendi ”qendror”i Serbisë – Jerusalemi serb. Kjo ishte një kthesë radikale, kurse historia ka dëshmuar se edhe te fashistët edhe te komunistët këto iluzione kanë pasur fatin e keq që të shndërrohen në dogma. Andaj në shkrimin e tij, Markoviqi insiston në zhvillimin e dialogut serbo – shqiptar jo për sovranitetin serb mbi shqiptarët, por për mbrojtjen e serbëve në Kosovë dhe të kishave mesjetare atje.
(http://pescanik.net/izlazna-strategija-srbije-na-kosovu…/)
Akademia jonë u bën thirrje të gjitha palëve, e veçmas palës serbe, që të pranojë realitetin në terren, të ulet në treyzën e dialogut dhe të mos e pengojë shtetin e Kosovës në ecjen e saj drejt Evropës së bashkuar, NATO-s dhe civilizimit bashkëkohor.
Akademikët shqiptarë në RMV
Tetovë, 24.09.2023
Hasan Jashari, Zeqir Kadriu, Xheladin Murati, Avzi Mustafa, Tahir Zajazi, Florim Ajdini, Zana Aliu, Zeqirja Rexhepi, Ardita Abduli, Nebi Dervishi