May 12, 2024
Maqedoni

Jakimovski deri te gazetarët: Jeni qesharakë!

Edhe unë, edhe të punësuarit e mi kemi punuar në mënyrë të denjë, jemi të pastër dhe këtë do ta dëshmojmë, deklaroi Stevço Jakimovski, pas shtyrjes së seancës gjyqësore për lëndën që zhvillohet kundër tij. Në pyetjen – si do t’i menaxhojë obligimet në komunë me obligimet në Gjykatë, tha se ka kapacitet të kryejë më shumë punë dhe se është shumë i organizuar. Seanca për rastin në të cilin kryetari aktual i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve u prolongua, por megjithatë pyetjet e gazetarëve, sipas tij, janë qesharake.

“Pyetja Juaj është shumë qesharake. Gjithmonë jemi paraqitur në të gjitha seancat dhe gjithmonë kemi qenë prezentë. Do të marr pjesë në të gjitha seancat gjyqësore”, tha Stevço Jakimovski – kryetar i Komunës së Karposhit.

Siç konfirmojnë nga Gjykata Themelore Penale – Shkupi, i akuzuari Jakimovski deri te Gjykata ka dorëzuar dokumentacion se e gjithë familja e avokatit të tij është pozitive ndaj Covid-19 dhe se për këtë arsye edhe ai është në izolim. Nga Gjykata shtojnë se për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi, gjykatësi Osman Shabani e ka shtyrë seancën për më 23 nëntor. Por, Jakimovski konsideron se prania e gazetarëve është sulm i orkestruar ndaj tij.

“Është evidente se është orkestruar. Të gjithë si media keni ardhur nga një qendër. Unë i respektoj mediat, por unë para këtyre dyerve jam më shumë se dy vjet, e nuk pashë asnjë medie. Siç duket, dikush vështirë e përjeton fitoren time dhe kjo është e keqe për të gjithë”, tha kryetari i Komunës së Karposhti, Stevço Jakimovski.

Sipas aktakuzës, në periudhën 2011-2017, kryetari Jakimovski si person zyrtar në disa raste e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimet gjatë procedurave për furnizim publik dhe procedurës për legalizim të objekteve të përkohshme afariste dhe privatizim të tokës ndërtimore që është në pronësi të Maqedonisë së Veriut.