May 19, 2024
Maqedoni

Intervistë me zv/ministrin e mbrojtjes, Tiron Jajaga: Falë anëtarësimit në NATO, Maqedonia e Veriut po kontribuon për paqen kolektive dhe paqen rajonale

Në kuadër të projektit “Mos besoni në dezinformata, ne jemi NATO”, Agjencia e Lajmeve ka zhvilluar intervistë me zëvendës ministrin e mbrojtjes, Tiron Jajaga. Në këtë intervistë ai thotë se pas anëtarësimit të vendit në NATO gatishmëria ushtarake e Maqedonisë së Veriut ka shënuar një rritje të theksuar dhe sa falë kësaj ushtria jonë është bë një ushtri që kontribuon edhe për sigurinë vendore, edhe për sigurinë kolektive të NATO-s, por edhe për sigurinë rajonale.

Zhurnal: Sa është e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut siguria që ofron Aleanca e NATO-s në këto momente të vështira për paqen në botë dhe në Evropë?

Jajaga: Maqedonia e Veriut është vend i sigurt dhe stabil, sepse investojmë në mbrojtje, në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe për shkak se me anëtarësimin në NATO u bëmë pjesë e sigurisë kolektive të Aleancës ku është në fuqi rregulli -një për të gjithë, të gjithë për një! Siguria, paqa dhe stabiliteti që mundëson anëtarësimi në NATO për qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë vlerë të paçmueshme, për shkak se vlera bazë në NATO është të qenit aleatë dhe të bashkuar. Në kohën e arkitekturës së ndryshuar dhe jostabile në Evropë dhe në botë, Aleanca është e sigurt, kurse aleatët janë të bashkuar në angazhimin e përbashkët që të garantohet siguria e çdo pëllëmbe të territorit të vendeve aleate dhe të mbi një miliardë njerëzve në botë.
NATO është garant se paqja dhe siguria që është përditshmëri e jona, do të jetë realitet edhe nesës, për ne dhe fëmijët tanë.
Poashtu, me rëndësi të jashtëzakonshme është që Maqedonia e Veriut, si anëtare fuqiplotë në NATO, posedon votë në tryezën ku sillen vendime për sigurinë tonë kolektive.
Përvoja jonë, qasja jonë është edhe një vlerë e shtuar në NATO dhe këtë e vlerësojnë aleatët tanë, siç e vlerësojnë faktin se Maqedonia e Veriut në mënyrë aktive mer pjesë në fuqizimin e sigurisë kolektive përmes pjesëmarrjes në forcat shumëkombëshe të Aleancës në Letoni, Bullgari dhe Rumani, qëllimi kryesor i së cilës është garantimi i sigurisë të krahut lindor të NATO-s.

Zhurnal: Si ishte viti 2023 për Maqedoninë e Veriut në sferën e mbrojtjes, në kuadër të aktiviteteve të NATO-s?

Jajaga: Viti 2023 në sferën e mbrojtjes për Maqedoninë e Veriut ishte vit që u shënua me realizimin e proceseve të shumta zhvillimore edhe sa i përket resurseve njerëzore, dhe, që ndoshta është më e rëndësishme, në procesin e modernizimit dhe furnizimit me pajisje. Ministria e Mbrojtjes me buxhetin e vitit 2023 dëshmoi se tërësisht është e përkushtuar ndaj këtij procesi dhe nga thuajse 275 milionë euro sa peshonte buxheti për vitin 2023, 33 për qind ose rreth 90 milionë euro u ndanë për modernizim dhe furnizim me pajisje. Buxheti për vitin 2024 do të jetë 2 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor, kurse përqindja nga këto mjete që dedikohen për modernizim dhe furnizim me pajisje do të jetë i ngjashëm me përqindjen e këtij viti, respektivisht një e treta e mjeteve të mbrojtjes.
Lidhur me modernizimin, në pajtueshmëri me Pakon e NATO-s të synimeve të aftësive, prioritet për furnizim me pajisje i është dhënë njësitit tonë të NATO-s të vendosur në Shtip, që është NATO kapaciteti ynë primar.

Pjesa e armatës veçmë janë 32 mjete të lehta të blinduara të llojit JLTV, kurse furnizimi i këtij lloji të mjeteve të blinduara vazhdon edhe në periudhën vijuese. Në mënyrë plotësuese për nevojat e Armatës po furnizohemi edhe me mjete të blinduara të llojit Stryker, jemi duke u furnizuar me sistem të ri për mbrojtje kundër-ajrore nga Franca, sisteme të reja artilerike nga Turqia, kurse dy helikopterë veçmë janë dërguar për servisim në Çeki dhe presim të kthehen në vendin tonë në gjysmë-vjetorin e parë të vitit 2024. Kemi krijuar sistem që mundëson mirëmbajtje të fluturakeve ushtarake ekzistuese, deri në blerjen e fluturakeve të reja, për çka procesi ëshhtë duke vijuar. Siç paralajmëruam, ka filluar procesi i furnizimit me dronë për nevojat e Ushtrisë dhe shtetit. Kjo do të thotë se Ushtria po modernizohet në të gjitha segmentet e saj dhe se ky proces mundëson zhvillim gjithpërfshirës të gatishmërisë ushtarake të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Zhurnal: Sa është rritur niveli i përgatitjes ushtarake të Armatës së Maqedonisë së Veriut pas anëtarësimit të vendit në Aleancë dhe sa po jep Maqedonia e Veriut kontribut për NATO-n?

Jajaga: Pasqyra e Armatës pas anëtarësimit tonë në NATO ndryshon vazhdimisht përmes procesit të investimit stabil në mbrojtje, e kjo ndikon dhe rezulton me gatishmëri të shtuar të Armatës. Në këtë drejtim pajisemi me mjete dhe sisteme më të sofistikuara ushtarake në pajtim me standardet më të larta të NATO-s. Siç e përmenda, buxheti për mbrojtjen për vitin 2024 veçmë është projektuar dhe në pajtim me planifikimet do të ndahen 2 për qind e BPV-së, që bashkë me ndarjen e dy të tretave të këtyre mjeteve për modernizim dhe pajisje, do të thotë se Maqedonia e Veriut i plotëson të dy dispozitat që bashkë me vendet aleate i pranuam në Samitin e Vilnusit e që janë: buxhet prej së paku 2 për qind nga BPV dhe ndarje e më së paku 20 për qind nga ky buxhet për pajisje dhe modernizim.

Në kontekst të kontributit drejt sigruisë kolektive të NATO-s, Maqedonia e veriut është aleat aktiv dhe i besueshëm. Pjesëtarë të Armatës janë pjesë e forcave shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, ku japin kontribut të drejtpërdrejtë dhe personal për sigurinë e krahut lindor të NATO-s. Do të kisha theksuar se edhe Misioni ynë i përhershëm në NATO ëhstë tërësisht i ekipuar, me përfaqësues më të lartë ushtarak në selinë e NATO-s, kurse i ekipuar është edhe misioni mbrojtës. Përveç në Misionin e përhershëm në NATO, Maqedonia e Veriut është prezente edhe në komandat e Aleancës, veçanërisht n ë Komandën supreme të Aleancës të NATO-s për Evropë në Mons. Duke filluar nga viti 2024 kemi në plan të japim kontributin tonë edhe në kuadër të Divizionit për diplomaci publike të NATO-s në bazë të parimit të kontributit vullnetar.

Kontribuojmë edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e kjo mund të shihet përmes pjesëmarrjes sonë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Në këtë mënyrë Maqedonia e Veriut është pozicionuar edhe si faktor serioz i stabilitetit në rajon, që ka peshë jashtëzakonisht të veçantë për ne, por edhe për NATO-n.

Krejt ky investim i yni i vazhdueshëm në Armatë, mundëson që të rritet gatishmëria e saj ushtarake, me çka përforcohet edhe siguria jonë kombëtare edhe siguria kolektive e NATO-s. Më e rëndësishmja për ne është që çdo qytetar të ndjehet i sigurt dhe nuk do të heqim dorë nga kjo detyrë themelore.