April 27, 2024
Maqedoni

Intervistë me drejtorin e Fondit Pensional-Invalidor, Dritan Bexheti: Nuk ndalemi me punësimet – prioritet për ne mbetet avancimi i shqiptarëve

Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë së Veriut, kuadri i Alternativës nga dega e Tetovës, Dritan Bexheti, ka realizuar ëndrrën e shumëpritur të punonjësve shqiptarë, ku me nënshkrimin e marrëveshjes për punë ka punësuar afro 50 shqiptarë.

Ky lajm ekskluziv ka ngjallur emocione të papërshkruara tek punonjësit e Fondit, të cilët si asnjëherë më parë kanë mbetur tepër të kënaqur nga veprimi historik i kuadrit të Alternativës ndaj punonjësve shqiptarë. Ishte ky një shkas mjaft i qëlluar për të zhvilluar një intervistë me drejtorin Bexheti.

Almakos: Z. Bexheti, tash e gjashtë muaj keni marrë drejtimin e Fondit Pensional Invalidor, një institucion mjaft me peshë. Sa e keni pasur të vështirë në këtë periudhë gjashtëmujore të udhëheqni institucionin në fjalë?

Bexheti: Në përgjithësi jam i kënaqur nga puna e deritanishme që kur jam në krye të institucionit, duke filluar nga organizimi dhe nga mënyra e funksionimit të saj, gjithçka shkon mbarë. Ju e dini se bëhet fjalë për një institucion mjaft të rëndësishëm dhe kompleks. Ka pasur edhe tentime për obstruksione, mirëpo unë dhe ekipi im i ngushtë kemi qenë të përgatitur për një gjë të tillë, pikërisht duke pasur parasysh atë që thash se bëhet fjalë për institucion mjaft të rëndësishëm, me shumë të punësuar dhe me kompetenca që tangojnë një pjesë të madhe të popullatës. Gjithçka kemi tejkaluar me dialog dhe me mirëkuptim, kështu që tani punën e vazhdojmë me dinamikë dhe energji të re.

Almakos: Opinioni ditë më parë, u informua për punësimin e 50 shqiptarëve në institucionin tuaj. A është ky fillimi, apo fundi i punësimeve që keni paraparë gjatë mandatit?

Bexheti: Unë veçmë e thash se pozitën dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionin tonë, çdo ditë e më shumë po e avancojmë dhe e rrisim dhe ndjeva kënaqësi të madhe që pranuam 50 shqiptarë të cilët nënshkruan marrëveshjet për punë.

Edhe më i kënaqur jam sepse të gjithë janë profesionistë të rinj. Nuk e kemi ndërmend të ndalemi me kaq. Ne do të angazhohemi dhe do të vazhdojmë edhe me shumë punësime të reja. Ky angazhim është në kuadër të plotësimit të njërës prej nëntë pikave të Marrëveshjes për Bashkëqeverisje që ka nënshkruar lideri i partisë, Afrim Gashi, e cila parasheh barazi ekonomike për shqiptarët. Tani që pika e parë e asaj marrëveshje që ishte integrim euroatlantik i vendit ka filluar të implementohet, nga ky moment ne shumë më lehtë më po i plotësojmë edhe tetë pikat tjera të marrëveshjes qeveritare. Në këtë drejtim, Fondi Pensional Invalidor, gjatë gjithë kohës do të udhëhiqet nga parimi – përfaqësim adekuat të shqiptarëve në punësime.

Almakos: Qytetarët vazhdimisht janë të interesuar për reformat që zhvillohen në Fondin që udhëhiqet prej jush. A mund të na flisni pak në këtë drejtim?

Bexheti: Fondi Pensional Invalidor është institucion në të cilin zhvillohen reforma të vazhdueshme, të gjitha në favor të qytetarëve. Kam fatin që detyrën e drejtorit ushtrojë në kohën kur në Qeveri kemi Admirim Alitin, ministër për Shoqëri Informatike dhe kjo në masë të madhe lehtëson edhe të gjitha reformat që duhet të ndërmerren gjatë qeverisjes sonë.

Almakos: Ju jeni edhe kryetar i degës së partisë Alternativa në Tetovë, ku më 20 gusht mbahen zgjedhje për Këshillin Komunal. Alternativa është paraqitur me listën e vetë të kandidatëve për këshilltarë komunal, a jeni optimist për rezultatin që do të arrini?

Bexheti: Alternativa është treguar subjekt serioz që me sukses i ka përballuar të gjitha goditjet nga qarqe të ndryshme.
Ka pasur shumë akuza dhe shpifje të pabaza ndaj nesh, por edhe ata që kanë pasur dyshime në kursin tonë tashmë janë bindur se kanë qenë gabim. Në këtë gjë, mbi të gjitha janë bindur edhe votuesit shqiptarë në Tetovë dhe mendoj se këtë do ta tregojnë edhe zgjedhjet e 20 gushtit, kur presim rezultat shumë të mirë. Ne garojmë me kuadro profesionale në listën tonë, kuadro të dëshmuara, si dhe jem subjekti i vetëm që në listë kemi 50 për qind kandidate femra. Kjo tregon edhe për seriozitetin me të cilin i jemi qasur zgjedhjeve, duke mos qenë vetëm fjalë me parollë boshe. Jemi të bindur se Tetova me ne – meriton alternativë më të mirë.