May 20, 2024
Diaspora

Iku në amshim veprimtari shqiptar nga Çikago, Qazim Ismaili

Edhe një mohikan që veproi në tokën e Linkoln-it në Illinois për çështjen shqiptare, sot ndërroi jetë. Qazim Ismaili ishte një pishtar i arsimit që punoi me pasion në edukimin fillor në disa fshatra të rrethit të Shkupit, të rrethit të Manastirit, si dhe në vendlindjen e tij Prespë.

Z. Ismaili përfundimisht u vendos në Çikago më 1985 ku dhe e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike, si pjesëmarrës në demonstrata të organizuara nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe organizata patriotike të kohës që vepronin në Amerikë.

Me themelimin e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Çikago më 3 shtator 1990, Qazimi zgjidhet anëtar i kryesisë së degës së LDK-së dhe punoi me pëkushtim deri në çlirim të Kosovës. Ishte në ball të aktiviteteve me vite të tëra, në grumbullimin e mjeteve për familjet e rrezikuara në Kosovë gjatë okupimit, aksioni, Familja mban familjen, Fondi i Qeverisë së Kosovës, pjesëmarrës në fushatat për miqtë tanë në Kongres, në Senat si dhe fushatat presidenciale. Ishte pjesëmarrës në demonstratat e organizuara kundër dhunës sllave, në demonstratat për liri e pavarësi. jo vetëm në Çikago por edhe në Nju Jork, para selisë së OKB-së, në Washington DC, përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në Kapitoll Hill. Sjellja e një xhentëlmeni, veprimtaria vullnetare, dhe modestia e tij, mbeten si kujtim i paharrueshëm kolektiv i komunitetit për veprimtarin e respektuar. E pastë të lehtë dheun në vendlindjen e tij në Prespë.