May 5, 2024
DiasporaMaqedoni

Ndërroi jetë mërgimtari nga Prilepi, Selim Shorja, tërë jetën ëndërroi kthimin tek rrënjët!

Shkruan: Prof.dr. Mustafa Ibrahimi

In Memoriam:

SELIM SHORJA (1929 Prilep – 2023 Fabriano – Itali)

TËRË JETËN ËNDËRROI KTHIMIN TEK RRËNJËT E HUMBURA!

Sot (16.11.2023), në moshën 94 vjeçare ndërroi jetë Selim Shorja. I lindur në Prilep në vitin 1929, por i rritur te dajallarët e tij në Cërnilishtë, sepse nëna e kishte lënë shumë të vogël. Nga fillimi i vitit 1945 shpërngulet në Shqipëri, ku si i shkulur nga vendlindja, në Elbasan e më pas në Durrës kalon pjesën më të madhe e më të mirë, por edhe më të vështirë të jetës. Atje martohet, krijon familje por jeton i vetmuar larg trungut. Njëherë më tha: “46 vjet prita dikush nga familja të më troket në derë, por kot! Kur kjo ndodhi, nuk u ndalën lotët! Këto ngjarje i ka përshkruar në tre librat e tij: Rrënjët e humbura (Interlingua, Shkup 2009); Kthimi tek rrënjët (Interlingua, Shkup 2013) dhe Vargëzime për jetën (Interlingua, Shkup 2021);

Në librin e parë “RRËNJËT E HUMBURA” (2009), përshkruan historinë jetësore të tre brezave aktivë dhe të dy brezave pasivë. Aty flet për rrënjët dhe origjinën e familjes së babait nga Desova dhe nënës nga Cërnilishta e Prilepit, duke vazhduar me familjen e gruas dhe fëmijëve. Në parathënien e librit të parë, midis tjerash shkruan: “Si jetim, pa nënë e baba gjallë, unë kam kaluar një jetë me rritje dhe me ulje. Kam kaluar peripeci të vështira dhe të mira nga lindja në fshatin Desovë, përjetimet e shkurtëra në Cërnilishtë, Debresht dhe Prilep, e deri Elbasan dhe Durrës, ku edhe u pensionova. Njeriun fati e ndjek deri në fund të jetës së tij…”.

Në librin e dytë “KTHIMI TEK RRËNJËT” (2013), përshkruan momentet emocionuese nga takimi me familjarët të shpërndarë në ish-Jugosllavi, Gjermani, Turqi dhe Belgjikë. Ky takim do të realizohet pas 46 vjet në Stamboll. Këtë moment e manifeston duke simbolizuar gëzimin dhe dëshirën e tij të madhe për kthimin tek rrënjët familjare. Selimi përsëri do të gjendet në udhëkryq, kësaj radhe vendos të jetojë në Itali me gocat e tij, por me zemër e shpirt duke menduar për rrënjët e trungut të tij, duke plotësuar edhe amanetin e nënës së tij: “Kudo që do të shkosh e do të jesh/ Mendjen e zemrën këtu ta kesh/ Ndonjëherë kur të vish këtu/ Një grusht dhe hidhe mbi mu/ Qaj e derdh dy pika lot/ Do më bëhen dritë ,nuk shkojnë kot/ Vendlindjen kurrë mos e harro/ Sa do mirë të jesh atë e kujto/..”

Në librin e tretë “VARGËZIME PËR JETËN” (2021), midis tjerash në parathënie do të shkruaje: “ …U hyra në brendësi të 92 viteve të mija, vura re se ngjarjet e rastet që kam qarë e kam derdhur lot, nuk kanë qenë të pakta. Janë me qindra, që syt e mij kanë lëshuar lot. Sipas kësaj, vërrej se jeta më ka kaluar me lot në sy. Ky fakt më vuri një detyrë që t’i arsyetoj këto me një shkrim të tretë, të cilen do ta titulloj ”ME SHKOI JETA ME LOT NE SY”. Do t’i përshkruaj një nga një ngjarjet që më kanë bërë të derdh lot. Për të plotësuar e konkretizuar ngjarjet, do të filloj nga dita e lindjes e në brendësi të 92 viteve”.

E nderuara familje Shorja dhe Ibrahimi në këtë përshëndetje lamtumirëse, dua të shpreh dhembjen time të thellë, por me një ndjenjë krenarie të lartë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, familjarit dhe veprimtarit tonë Selim Shores, i cili do ngelet në zemrat dhe kujtimet tona përgjithmonë. Aga Selim prehu i qetë!