Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh dhe rekrutim nga Shërbimi Inteligjent Serb-BIA.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë vërtetuar dyshimin e bazuar se Sali është rekrutuar nga BIA, konkretisht nga zyrtari i saj Zheljko Matoviq, dhe se i ka ofruar këtij shërbimi informacione në dëm të interesave të Kosovës.
Kodraliu ka thënë se edhe vetë Sali, gjatë procedurës për caktimin e paraburgimit, ka deklaruar se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kryer edhe një bastisje gjatë së cilës janë sekuestruar telefona dhe një shumë parash, për të cilat dyshohet se përbëjnë dobi pasurore të përfituar përmes veprës penale.

