Maqedoni

Huzeir Mustafi: Kumanovarët do të votojnë me bekim për Bekimin dhe pastër për Kumanovën

Huzeir Mustafi, kandidat i koalicionit ASH-AAA për këshilltar në kuvendin e ardhshëm komunal të Kumanovës, në tubimin e mbajtur në Kumanovë deklaroi se kumanovarët me 17 tetor do të votojnë me bekim për Bekimin dhe pastër për Kumanovën.

Në tubim kanë marrë pjesë kryetari i AH-së, Ziadin Sela, ai i AAA-së, Afrim Gashi, kandidati për kryetar të Kumanovës, Bekim Saliu, deputeti Elmi Aziri dhe shumë të tjerë.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të Huzeir Mustafit.

“Mirseerdhët në Kumanovën e mikpritjes e të bujarisë, trimërisë e zemërgjerësisë. Mirësevini në Kumanovën e KF Bashkimi dhe të Ilirëve, klubit të karatesë Bashkimi, të atletikës Teuta dhe të basketbollit Rinia. Mirësevini në Kumanovën e grupit muzkor Foleja dhe Hareja, shoqërisë Bajram Shabani e Zërit të Kumanovës që dikur u bë zëri i gjithë Kosovës. Këto që i përmenda janë krenaria dhe lavdia e Kumanovës dhe gjithë shqiptarisë, por për fat të keq sot Kumanova njihet si qytet i ndarë në dy pjesë. Në njërën anë kemi pjesën e zhvilluar dhe me të gjitha standartet, ndërsa në anën tjetër pjesën e pazhvilluar e me shumë probleme, e lënë në harresë dhe e ngulfatur në premtimet e politikanëve të papërgjegjshëm. Sot nxënësit shqiptarë të Kumanovës nuk kanë objekt shkollor në gjimnazin Sami Frashëri e shkollën e mesme teknike, e nuk kanë kushte të mira as në shkollat fillore. Në lagjet shqiptare mungojnë rrugët me trotoare, parqet dhe gjelbrimet, mungojnë terrenet sportive dhe cerdhet për fëmijë. Sot fshati Llopat nuk ka ujë për pije, edhe pse gypat kalojnë nëpër fshat dhe furnizojnë gjithë qytetin. Sot Rramalia ka problem me kanalizim dhe nuk ka ujë për pije, e sot fshati Cerkez është pa stadium futbolli, edhe pse kishte një klub të lavdishëm, i njohur si Liria.

Udhëheqësia e deritanishme që me dekada menaxhon me komunën e Kumanovës ka krijuar strategji tinëzare e me standarte të dyfishta. Kjo edhe për faktin që për partner koalicioni ka patur që për mision të jetës e kanë të qenurit drejtor apo funksionar pa u lodhur për hallet e shqiptarëve.

Të nderuar kumanovarë, është momenti i fundit për ti ndaluar tendencat manipulative dhe talljet që kanë ata karshi neve si shqiptarë dhe halleve tona. Shqiptarëve të Kumanovës nuk guxon tu mohohet e drejta për të votuar shqip, për të zgjedhur një shqiptar për kryetar të Kumanovës, dhe përderisa të tjerët bënin kalkulimet e tyre politike ASH dhe AAA ua mundësuan shqiptarëve të votojnë shqip. U përkujdesën që shqiptarët të kenë një shqiptar dhe do të votojnë me bekim për Bekimin dhe pastër për Kumanovën.

Të nderuar, para vetës keni një opsion të pastër politik që ngjallë shpresë se edhe në Kumanovë mundet ndryshe, e ndryshimi bëhet vetëm duke votuar pastër, opsionin pastër, me njerëz të pastër dhe me ide të pastra, ashtu sic janë shqiptarët dhe sic e meritojnë shqiptarët-pastër”, tha në fjalimin e tij Huzeir Mustafi, kandidat i koalicionit ASH-AAA për këshilltar në kuvendin e ardhshëm komunal të Kumanovës.