Tre të rinj me origjinë nga Fieri, të cilët jetonin në Athinë, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Dy të tjerë, që ndodheshin në të njëjtën makinë, kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:00 në rrugën bregdetare pranë Glyfadës, një nga zonat më të njohura dhe të shtrenjta të kryeqytetit grek. Makina me pesë të rinj ishte duke lëvizur në drejtim të Pireut, kur në kryqëzimin e Avenue Poseidonos me rrugën Kalypsous ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shpejtësi të madhe me murin e një hoteli.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, policia dhe zjarrfikësit. Dy prej të rinjve u nxorën nga automjeti i shkatërruar, pasi kishin mbetur të bllokuar në kabinën e makinës. Tre të tjerët, sipas autoriteteve, kishin humbur jetën në vendngjarje.

Ndërkohë janë publikuar edhe fotografitë e të rinjve që nuk i mbijetuan dot plagëve të marra.

" "

Sipas raportimeve të mediave greke dhe dëshmive të miqve të të rinjve, një nga pistat që po hetohet është ajo e një gare të improvizuar mes dy automjeteve. Dyshohet se të rinjtë mund të kenë qenë duke konkurruar me një makinë tjetër pak para përplasjes, ndërsa po hetohet edhe nëse momentet e fundit të udhëtimit janë transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale.

Një prej të plagosurve, 18 vjeç, ndodhet në gjendje shumë të rëndë, i intubuar në repartin e kujdesit intensiv, pasi ka pësuar dëmtime të rënda në kokë. I plagosuri tjetër, po 18 vjeç, ndodhet i shtruar në Departamentin e Ortopedisë. Sipas mediave greke, ai ende nuk është në gjendje të kuptojë se tre miqtë e tij kanë humbur jetën.

Policia greke po heton nëse në aksident është përfshirë edhe një automjet tjetër dhe nëse përplasja ka ardhur si pasojë e një gare në rrugë.

Hetuesit pritet të analizojnë edhe të dhënat e telefonave të të rinjve për të përcaktuar nëse ata po transmetonin drejtpërdrejt në TikTok në momentet para aksidentit.

Ndërkohë, një ekspert po kryen ekzaminimin e automjetit të dëmtuar për të përcaktuar shpejtësinë me të cilën po lëvizte në momentin e përplasjes, si dhe për të verifikuar nëse pesë të rinjtë kishin vendosur rripat e sigurimit.

sqShqip