Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka pritur ambasadorin e ri të Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, Vele Trpevski, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian dhe projektet strategjike rajonale. Hoxha vlerësoi se Maqedonia e Veriut mbetet një partner i rëndësishëm rajonal dhe aleat i çmuar në NATO, duke theksuar se dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta KOHA.
Gjatë takimit u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Tiranës dhe Shkupit, ndërsa u theksua rëndësia strategjike e integrimit evropian të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Një nga temat kryesore të bisedës ishte respektimi i të drejtave gjuhësore në Maqedoninë e Veriut. Ministri shqiptar nënvizoi se zbatimi i plotë dhe i vazhdueshëm i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përbën jo vetëm një detyrim kushtetues dhe standard të barazisë, por edhe një element thelbësor të procesit eurointegrues të vendit. Sipas Hoxhës, respektimi i këtij ligji dëshmon përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj standardeve demokratike, përfshirjes së të gjitha komuniteteve dhe vlerave themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Palët u dakorduan gjithashtu për forcimin e dialogut politik në të gjitha nivelet dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Në takim u diskutua edhe për Korridorin VIII, i cili u cilësua si një projekt me rëndësi strategjike për lidhjen infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal. Hoxha theksoi se avancimi i këtij projekti do të afrojë më tej qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e perspektivës evropiane të rajonit. Takimi vjen në një periudhë kur integrimi evropian dhe bashkëpunimi rajonal mbeten ndër prioritetet kryesore të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në ndërkohë, një ditë më parë, ministri Hoxha ka zhvilluar një takim me pjesëmarrësit e Akademisë Politike të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku është diskutuar për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, rajon dhe proceset integruese evropiane. Në njoftimin e tij, Hoxha e cilësoi takimin si një bashkëbisedim të hapur dhe konstruktiv me të rinjtë, duke vlerësuar interesimin e tyre për çështjet politike dhe perspektivën evropiane të rajonit. Gjatë takimit, ministri shqiptar theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si shembull të fqinjësisë së mirë, partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve. Ai nënvizoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në shtetformimin, stabilitetin politik, zhvillimin demokratik dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, për të cilën Hoxha tha se mbetet gurthemeli i bashkëjetesës ndëretnike dhe i karakterit multietnik të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, ruajtja e frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimi i plotë i saj janë të domosdoshme për forcimin e kohezionit të brendshëm dhe avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian. Ministri shqiptar theksoi gjithashtu nevojën për respektimin dhe avancimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacion, në përputhje me standardet demokratike dhe vlerat evropiane.
Bashkëbisedimi përfshiu edhe zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua për sfidat e përbashkëta dhe perspektivën evropiane të rajonit. Hoxha vlerësoi se angazhimi i shqiptarëve kudo që jetojnë në mbështetje të integrimit evropian dhe euroatlantik përbën një kontribut të rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Në fund, ministri shqiptar vlerësoi nivelin e lartë të kulturës politike dhe pjekurisë së të rinjve pjesëmarrës në Akademinë Politike të BDI-së, duke shprehur bindjen se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me Evropën, demokracinë dhe vlerat e bashkëpunimit ndërmjet popujve. (koha.mk)

