May 18, 2024
Kosovë

Hoxha nga Prizreni për flamurin kombëtar: Harrën, leckë, ne s’adhurojmë zogj

Imam Mazllam Mazllami gjatë kësaj jave mori shumë vëmendje në publike e mediale pas “mercedesit” që iu dhurua nga ‘xhemati’.

Vetura që e pranoi ky imam para disa ditësh bëri që të shpërthenin komentet e ndryshme në rrjete sociale. Mes këtyre komentuesve ishte edhe gazetari Valon Syla, që dyshohet se e pësoi për shkak të kësaj çështjej.

Përveç kësaj, në një paraqitje duket se imami kishte komente përdhosëse ndaj flamurit kombëtar.

Disa komente të imamit Mazllami janë publikuar në platformën TikTok ku flet për flamurin kombëtar.

“Kjo është harrën, leckë, bezë. Na nuk adhurojmë shqiponja, nuk adhurojmë zogj!” thotë Mazllami derisa kap flamurin kombëtar me duar.

Në këtë video, ai ka komente edhe për dëshmorët.

“Shehid nuk bihet qysh po thotë dikushi… plot shehida jemi ba. U mushë Kosova dëshmorë. E lus Allahun që këta që na kanë ra dëshmorë ishalla janë dëshmorë të Allahut. Se na që i shkrujmë dëshmorë e ju vëmë pllakata, pas pesëdhjetë vjete krejt jau thejmë ato”, vazhdon ai.

Më tutje, ai përmend edhe himnin kombëtar shqiptar duke iu shtruar pyetje ndjekësve të tij se “me qët flamur në xhenet (parajsë) a hijmë?”

Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare lidhur me deklarimet e imamit Mazllam Mazllami./21Media