May 25, 2024
Dossier

Historiani serb: Femrat serbe në Luginë të Preshevës dhe Moravicë janë albanizuar me dëshirë, jo me dhunë!

Titulli o rigjinal në Koha.net: “Mëkatet” dhe shqiptarizimi i femrave serbe
Kampi serb në kufirin bullgar, Vrajë, 31 tetor

“Nuk mund të themi se pjesa dërrmuese e serbëve lokalë u turqizuan (albanizuan) në mënyrë të dhunshme, pra pati edhe turqizim (albanizim) vullnetar dhe kjo, sidomos ka qenë e manifestuar te serbët që kanë jetuar në mjedise të përziera me shqiptarët. Personalisht mendoj se pjesa më e madhe e femrave serbe janë turqizuar (albanizuar) në mënyrë të vullnetshme e kurrsesi me dhunë”, ka theksuar Jovan Haxhi-Vasileviq (“Muslimani naše krvi”, Beograd 1924, fq. 66”, fq. 66).

Nga: Skënder Latifi

Njëra ndër “vulat” e kohës, e cila do ta damkosë kurrizin e stërmunduar shqiptar në shekujt e fundit osman, do të jetë edhe rrëmbimi i femrave joshqiptare dhe konvertimi i dhunshëm i tyre. Se sa larg ishte shkuar në dramatizimin dhe mitologjizimin e kësaj çështjeje, flet fakti se në muret e disa kishave lokale serbe në viset e Luginës së Preshevës dhe të Anamoravës të ngritura së voni, madje, mund të gjenden edhe afreske, ku janë paraqitur figura të “femrave të sakrifikuara serbe” për të mos rënë të gjalla në duart e “grabitësve shqiptarë”

“Nuk mund të themi se pjesa dërrmuese e serbëve lokalë u turqizuan (albanizuan) në mënyrë të dhunshme, pra pati edhe turqizim (albanizim) vullnetar dhe kjo, sidomos ka qenë e manifestuar te serbët që kanë jetuar në mjedise të përziera me shqiptarët. Personalisht mendoj se pjesa më e madhe e femrave serbe janë turqizuar (albanizuar) në mënyrë të vullnetshme e kurrsesi me dhunë”, ka theksuar Jovan Haxhi-Vasileviq (“Muslimani naše krvi”, Beograd 1924, fq. 66”, fq. 66).

Megjithatë, argumentet e këtij autori ngelën anash, kur qarqet e lartpërmendura nacionaliste serbe, fatkeqësisht të përkrahura në atë kohë edhe nga qendra ndërkombëtare të kohës arritën që shqiptarët t’i damkosnin edhe me një fajësi, e cila ishte në kundërshtim me traditën dhe zakonin kanunor të tyre.

Pra, njëra ndër “vulat” e kohës, e cila do ta damkosë kurrizin e stërmunduar shqiptar në shekujt e fundit osman, do të jetë edhe rrëmbimi i femrave joshqiptare dhe konvertimi i dhunshëm i tyre.

Se sa larg ishte shkuar në dramatizimin dhe mitologjizimin e kësaj çështjeje, flet fakti se në muret e disa kishave lokale serbe në viset e Luginës së Preshevës dhe të Anamoravës të ngritura së voni, madje, mund të gjenden edhe afreske, ku janë paraqitur figura të “femrave të sakrifikuara serbe” për të mos rënë të gjalla në duart e “grabitësve shqiptarë”. Dhe e dyta, në kuadër të propagandës politike në këtë drejtim, me idenë e Ministrisë së Jashtme të Serbisë u iniciua përmbledhja e raporteve mbi dhunën siç thuhej arbanase në Serbinë e Vjetër. Raportet u përmblodhën në një libër të veçantë të publikuar edhe në gjuhën frënge të titulluar “Documents Diplomatiques – Correspondance concernant les actes de violence et brigandage des Albanais dans la Vieille – Serbie (Vilayet de Kossovo 1898 – 1899)” të botuar në Beograd në vitin 1899.

Por, nëse femrat serbe ishin ato që mbanin gjallë serbizmin në këto vise, ashtu siç e paraqet Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, në novelën “Shamia e përgjakur” duke marrë për shembull të ëmën e kryeprotagonistit të novelës, Janjën, e cila në hezitimet e të birit për ta ndryshuar besimin, ngase këtë e kërkonte Fatimja dhe familja e saj, ajo i vërsulet atij duke mallkuar “se pse i biri i saj nuk ishte lindur i gjymtë apo i verbër, se pse asaj nuk iu kishte shteruar qumështi kur Janja ishte lindur” dhe duke këmbëngulur përfundimisht që ta bindë të birin se, nëse e ndryshonte fenë, atëherë “në këtë botë do të jetë faqezi dhe në atë botë do të mbetet jashtë mëshirës së Zotit!” Prandaj, prej fjalëve të nënës së Janjës duket qartë se mallkimi më i madh ndaj fendërruesve megjithatë bie më tepër mbi burrat sesa mbi femrat serbe. “Një serb që nuk i respekton ritet dhe zakonet e tij fetare nuk konsiderohet serb. Një femohues i tillë në popullin serb llogaritet si bir i humbur, sepse ai e ka humbur rëndësinë e serbizmit”, shprehet Aleksov në përpjekjet e tij për sqaruar gjendjen psikologjike të shoqërisë serbe në prag të shpërthimit të dhunës, urrejtjes hakmarrëse në periudha të ndryshme historike, duke nisur nga fundi i shekullit XIX, e deri në luftërat e fundit e të përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta në ish-Jugosllavi. (Po aty, “Poturica” fq. 238). Por, pse e meritonin këtë përjashtim prej radhëve të kombit “trimat” e pasardhësit e car Llazarit e Stevan Singjeliqit në Luginën e Preshevës atëbotë. “Kur para 30 – 40 vjetëve dy vajza serbe u konvertuan vullnetarisht dhe e pranuan fenë islame dhe për veprimin e tyre ato u panë me neveri në tërë Moravën dhe Moravicën, duke e nxitur lëçitjen prej jetës së gjithëmbarshme të serbëve lokalë – në anën tjetër, serbët e Pçinjës së Epërme kënaqen kur ndonjë shqiptar apo turk “udhëheq” me gratë apo vajzat e tyre, apo të të dyjave përnjëherë, duke shkuar bashkë me to nëpër dasma e tubime dhe në kuvende të ndryshme, kështu që shqiptari apo turku disponon me të gjithë familjen e pçinjasve, sikur me haremin e tij; dhe aq më tepër që këta burra pçinjas (serbë) sillen vërdallë rreth këtyre burrave shqiptarë apo turq me plot kënaqësi, sepse ata atëherë e fitojnë rastin që të pinë alkool derisa të dehen e të bëhen tapë, ta rrasin barkun apo të shkrihen duke pirë duhan”, ka dëshmuar Haxhi Vasileviq duke detajizuar “se shumë banorë serbë pretendojnë të kenë mik shtëpie ndonjë shqiptar apo turk, vetëm me një qëllim që t’i hakmerret ndonjë familjari apo fqinji të afërm. Kështu ata ia vendosin përballë armikut të tyre agallarët shqiptarë apo turq! Dhe është fakt që në Pçinjën e Epërme ka raste kur burri e rrah bashkëshorten e tij, të bijën apo nusen, sepse ajo më parë ka refuzuar ta kënaqë “agën”! (Jovan Haxhi Vasiljeviq, “Južna Stara Srbija, Presevska oblast”, Knjiga II, Beograd 1913, fq. 250)

Në kuadër të propagandës politike serbe, me idenë e Ministrisë së Jashtme të Serbisë u iniciua përmbledhja e raporteve mbi dhunën, siç thuhej, arbanase në Serbinë e Vjetër. Raportet u përmblodhën në një libër të veçantë të publikuar edhe në gjuhën frënge të titulluar “Documents Diplomatiques – Correspondance concernant les actes de violence et brigandage des Albanais dans la Vieille – Serbie (Vilayet de Kossovo 1898 – 1899)” të botuar në Beograd në vitin 1899

Njegoshi si justifikim

Krahas zhvillimeve të gjithëmbarshme në kazanin e vlimeve ballkanike të fundshekullit XIX, si hyrje në shekullin e ri, shtrohej nevoja e projektimit të ardhmërisë, kuptohet të skematizmit të modelit “ne” dhe “ata” apo “të tjerët” nga qarqet politike të Beogradit. Natyrisht se edhe Lugina e Preshevës e asaj kohe, por edhe më vonë, përkundër dominimit të shumicës së popullsisë shqiptare, iu nënshtrua skemës së lartpërmendur. Paralel me reformat e nxitura euro-osmane, kah mesi i shekullit XIX, siç dihet u rrit edhe ndikimi i Rusisë si fuqi dhe veprimtaria e këtij shteti në këtë kohë orientohej drejt organizimit të lëvizjes për çlirimin e sllavëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore. Ndonëse Serbia e synonte realizmin e projektit të “Serbisë së Madhe” në modelin e imagjinuar të mesjetar, në anën tjetër Bullgaria përveç që e synonte Maqedoninë ajo përpiqej që “Bullgarisë së Madhe” t’ia bashkëngjiste edhe viset, duke nisur nga krahina e Zajeçarit të sotëm e deri në Luginë të Preshevës. Mirëpo, përveç tjerash fqinjët e shqiptarëve tanimë kishin arritur që brenda korpuseve të tyre kombëtare të instalonin modele të tilla të urrejtjes, saqë atyre do t’ua kishin zili edhe nazistët e mëvonshëm. “Shfarosja e ‘të turqizuarve të rrejshëm dhe të neveritshëm’ në vetëdijen popullore e fitoi rëndësinë e pastrimit ritual, katarsës kombëtare dhe kështu masakrat (e ardhshme mbi joserbët) e fituan apoteozën fetare, pavarësisht që vrasja ishte në kundërshtim me mësimet bazë të kishës.” (Po aty, Poturica fq.232). Më meritori për nxitjen e ortekut të vrasjeve dhe masakrave, duke u mbështetur në këtë vetëdije të arrirë popullore, ishte Petar Petroviq Njegosh (1813-1851) dhe vepra e tij “Kurora e maleve”, që sipas studiuesve të ndryshëm është e mbështetur në një legjendë të rreme. Këtë madje viteve të fundit e kanë pohuar edhe disa studiues malazezë. Dhe vetëm disa vite pas botimit të kësaj vepre (1847), autori i novelës “Shamia e përgjakur”, Manolljo Gjorgjeviq – Prizrenac shqiptaren rahovicase e ka përlyer me frymë nacionaliste të veprës së Njegoshit, fillimisht duke i vendosur personazhet kryesore në pozitë të ndryshme klasore, nënkuptohet edhe fetare.
“Personazhet e kësaj ngjarjeje tragjike nuk u përkasin kategorive të njëjta shoqërore, por edhe besimit të njëjtë fetar”, ka shkruar ai.

Jovan Haxhi-Vasileviq, “Muslimani naše krvi”, Beograd 1924
Bajrami e Zllata dhe Janja e Fata

Ndërkaq pak vite më herët, po ashtu në njërin prej fshatrave më të mëdha të Preshevës në Miratoc, kishte lindur një dashuri e zjarrtë midis një shqiptari dhe një serbeje.

Në veriperëndim të Tabanocit (sot vendkalimi kufitar midis Serbisë dhe Maqedonisë së veriut) ndodhet fshati Sopot. Para luftërave të viteve 1876-1878 në këtë fshat veçoheshin disa shtëpi të dalluara serbe. Njëra ndër familjet më të fuqishme serbe ishte ajo e Stojkoviqëve. Bija e asaj shtëpie Zllata ishte një bukuroshe e vërtetë. Në këtë vajzë u dashurua Bajrami nga Miratoci, fshat ky që është shumë afër Sopotit. Nga frika se e bija do të konvertohej dhe do t’i turpëronte, prindërit e Zllatës u shtrënguan që bijën e tyre ta strehojnë në mitropolinë e kishës ortodokse në Kumanovë. Edhe priftërinjtë në këtë kishë ishin të bindur se Bajram Miratoca ishte i vendosur që me dhunë ta konvertonte Zllatën dhe gjithnjë organizonin rojë rreth mitropolisë. Haxhi Vasileviq më tej kujton se “në atë kohë unë jetoja në atë shtëpi, edhe pse kam qenë fëmijë e mbaj mend se çfarë hiqnin shërbëtorët e shtëpisë që ta ruanin Zllatën që të mos e grabisnin shqiptarët”. (Po aty Haxhivaslijeviq, Preshevska oblast fq.145)

Ndërsa në kohën e lindjeve të këtyre dashurive në kufirin kosovaro-serb, qyteti i Vrajës sapo kishte kaluar në anën serbe dhe vetëm zëri i mbytur i imamëve të vetmuar në xhamitë e Vrajës kishte mbetur kujtim i fundit i prezencës osmano-shqiptare atje. Tani, por edhe më vonë Vraja do të shndërrohej, dhe nga ana e qarqeve politike dhe kulturore serbe u pa si portë hyrëse në “Serbinë e Vjetër” apo në Vilajetin e Kosovës. Dhe, për ta matur pulsin kombëtar të joshqiptarëve në Luginë të Preshevës, po në këtë kohë këtyre zonave ua mësynë dy emisarë: historiani dhe politikani serb Stojan Novakoviq (1842-1915) dhe Spiridon Gopçeviq (1855-1928).

“Presheva krahas Moravicës dhe Moravës, sikurse edhe Bujanoci si qendër e vetme e banueshme në jug, pak më larg nga kufiri në Turqi, janë të shkëputura nga qendra dhe nga mjedisi i tyre natyror (Serbia!), dhe tani rrojnë në këto brigje ballkanike, të habitura duke mos ditur nga t’ia mbajnë!”, kërkonte përgjigjen Novakoviqi në vjeshtën e vitit 1886. (Stojan Novakoviq, “S’Morave na Vardar”, 26-28 oktobar 1886, Beograd 1894) Mirëpo, për dallim prej Novakoviqit perfid, emisari i radhës që e kishte për detyrë ta hulumtonte gjendjen e vetëdijes kombëtare të popullsisë joshqiptare të kësaj zone, hasi në mjegull edhe më të dendur. Kur në pranverën e vitit 1888 u lëshua në qarkullim vija hekurudhore Vrajë – Bujanoc – Preshevë – Shkup, njeriu i njohur me pseudonimin Leo Brener, përndryshe i mirënjohuri Spiridon Gopçeviq, i paguar nga Qeveria e Serbisë dhe organizatat e ndryshme nacionaliste serbe, që ishin vënë në përkrahje të zgjerimit të Serbisë drejt jugut, e kishte marrë rrugën me tren për ta arritur në trevat shqiptare dhe ankesa e tij kryesore ishte se pse treni duhej ta kalonte pjesën më të madhe të Serbisë vetëm natën dhe udhëtarët nuk kishin rast të kënaqeshin duke i pare peizazhet e bukura serbe.

“Që të mësoja më tepër për popullsinë e kësaj krahine (të Luginës së Preshevës) vendosa që të shëtisja me tren”, shkruan Gopçeviq në fillim të misionit të tij “shkencor”! Udhëtarin e parë që e hasa ishte nga Bilaçi (aktualisht vendbanim në komunën e Bujanocit). Duke e parë se ishte në shoqëri të shqiptarëve, e pyeta se a ishte edhe ai i tillë. “Nuk jam shqiptar”, m’u përgjigj ai. “Qenkeni serb”, vazhdova unë. Ai mbeti i befasuar dhe filloi të më sqaronte: “Unë e di se sipas të gjitha gjasave ne jemi serbë, por e kemi zakon të themi se jemi bullgarë!” Pse ashtu, e pyeta unë. “Unë nuk e di, ashtu e kemi zakon”, më tha përfundimisht ai. (Spiridon Gopçeviq, “Makedonien und Alt-Serbien”, Wien 1889).

Thënë dhe shkruar disa vite më vonë për dallim të autorëve të lartpërmendur, po ashtu një historian serb duket të ketë qenë më afër së vërtetës rreth identiteteve të dy popujve fqinj, shqiptarëve dhe serbëve.

“Ka mendime se kombi serb u konstituua në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XIX. Megjithatë, unë mendoj se duhet të shqyrtohet situata e kombit serb në vitet e tetëdhjeta të shekullit XVIII. Për shembull, kombi shqiptar u krijua shumë më herët para shtetit shqiptar!”, është shprehur historiani Andrej Mitroviq (1937-2013, në punimin e tij “O nekim pitanjima izučavanja i razvitka srpske nacije” të botuar në librin “Postanak i razvoj srpske nacije”, në vitin 1979, në Beograd (fq. 243 – 247)

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë në Koha Ditore