Historiani bullgar: Nuk ka argumente për ekzistimin e kombit maqedonas
Vështirë se ekziston ndonjë shtet që dëshiron për Maqedoninë e Veriut më shumë se Bullgaria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por gjithmonë ekziston një “no”, sepse anëtarësimi varet nga gatishmëria e një vendi kandidat për atë, thotë bashkëkryesuesi i Komisionit të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për Çështje arsimore dhe historike, Angel Dimitrov.
“Do të dëshiroja të them se Republika e Maqedonisë së Veriut është e gatshme t’i fillojë negocitat, por nuk shoh bazë për atë”, deklaroi Dimitrov për Televizionin kombëtar bullgar.
Dimitrov, konsideron se historia ka ndikim në të gjitha fushat, jep argumente dhe u ndihmon politikanëve t’i kuptojnë rrënjët e problemeve bashkëkohore, por kjo nuk është ajo që i përcakton marrëdhëniet. Mirëpo ai konsideron se nuk ka dëshmi historike për ekzistimin e kombit maqedonas.
Sipas tij, pozita bullgare ndaj vendit është “e qartë”, por çështja është sa është prezantuar mirë dhe nëse dikush dëshiron ta kuptojë.
Në prag të mbledhjes së ardhshme të Komisionit, të parashikuar për të enjten, Dimitrov thekson se do të bisedohet për atë “që flitet tashmë pesë mbledhje me radhë”.
I pyetur për të ardhmen e Komisionit, Dimitrov thotë se sado që të duket se puna e tij nuk jep rezultate, megjithatë e tërheq vëmendjen e opinionit në të dy vendet, sepse çështjet për të cilat debaton u interesojnë njerëzve.
Ai duke qenë mysafir në BNT citon se historianët e Maqedonisë nuk janë të gatshëm të punojnë “sipas parimeve karakteristike për çdo shkencë – referimi dhe respektimi i fakteve dhe burimeve”