Historia e vogëlushes shqiptare Ernisa ka prekur zemrat e mijëra njerëzve në Itali. E diagnostikuar me fibrozë cistike, ajo është përballur me sfida të jashtëzakonshme shëndetësore që në muajt e parë të jetës.

Kur ishte vetëm katër muajshe, Ernisa kaloi një vdekje klinike, por arriti të rikthehej në jetë. Përballë kësaj sprove të rëndë, nëna e saj, Ilda, nuk u dorëzua dhe kërkoi ndihmë për t’i siguruar vajzës trajtimin e nevojshëm jashtë Shqipërisë.

Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim pati prifti italian Don Paolo Volpe, i cili ndihmoi familjen shqiptare të mbërrinte në Itali, ku vogëlushja u vu nën kujdesin e mjekëve.

 

" "

Historia e Ernisës preku thellë edhe banorët e qytetit të Loretos, të cilët u bashkuan për t’i ardhur në ndihmë familjes. Ata organizuan mbledhjen e ndihmave dhe siguruan një banesë të mobiluar, në mënyrë që familja të qëndronte së bashku gjatë kësaj periudhe të vështirë.

 

“Pavarësisht gjithçkaje që ka kaluar, buzëqeshja e saj nuk është zhdukur kurrë”, rrëfen nëna e vogëlushes.

 

Historia e Ernisës është një dëshmi e forcës së një fëmije që vazhdon të luftojë për jetën, por edhe e solidaritetit njerëzor që nuk njeh kufij. Në momentet më të vështira, familja shqiptare gjeti mbështetje dhe përkrahje nga një komunitet i tërë italian, që zgjodhi të mos e linte vetëm në këtë betejë.

sqShqip