Deputeti i Aleancës për Shqiptarët ka ngritur në Kuvend çështjen e mungesës së një çerdheje publike funksionale në Komunën e Studeniçanit, duke kërkuar përgjigje nga ministri i Politikës Sociale se kur do të zgjidhet ky problem, përcjell zhurnal.mk.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti ka theksuar se Studeniçani, me rreth 22 mijë banorë, nuk ka asnjë çerdhe publike funksionale, duke e cilësuar këtë situatë si problem që kërkon zgjidhje konkrete nga institucionet.

Sipas tij, Aleanca për Shqiptarët kishte propozuar ndërtimin e një çerdheje në këtë komunë përmes një amendamenti në rebalancin e buxhetit, por propozimi ishte refuzuar nga Qeveria.

“Ndërkohë, flitet për miliona euro investime dhe dhjetëra çerdhe në nivel shtetëror. Por ku është Studeniçani në këto plane? A nuk kanë të drejtë edhe fëmijët e kësaj komune për kushte të barabarta?”, ka deklaruar deputeti.

" "

Ai ka kritikuar refuzimin e amendamentit, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës parashkollore ndikon drejtpërdrejt te fëmijët dhe familjet e komunës.

“Fëmijët nuk mund të presin, ndërsa Qeveria refuzon zgjidhjet konkrete”, ka theksuar ai.

Deputeti i ASH-së ka kërkuar përgjigje të qarta nga ministri përgjegjës lidhur me arsyet e refuzimit të amendamentit dhe afatin kur planifikohet ndërtimi i një çerdheje publike në Studeniçan.

Në përfundim, ai ka nënvizuar se kujdesi për fëmijët duhet të jetë përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe jo çështje e lidhur me përkatësinë apo interesat politike.

“Sepse kujdesi për fëmijët nuk është privilegj politik. Është përgjegjësi shtetërore!”, ka përfunduar deputeti.

sqShqip