Një natë dramatike në kantonin e Lucernit tronditi pronarët e një autosalloni luksoz, pasi një Porsche i shtrenjtë u vodh nga hajdutët. Falë kamerave dhe reagimit të shpejtë të policisë, tre persona u arrestuan pak orë më vonë.

Bëhet fjalë për sallonin në Rickenbach LU, ku një Porsche 718 Spyder RS me vlerë rreth 200 mijë franga zvicerane është vjedhur nga një autogarazh që merret me shitjen e veturave luksoze.

Sipas rrëfimit të Milot Berishës 30 vjeç, bashkëpronar i autosallonit MB Carcente, gjithçka ka nisur rreth orës 01:37, kur ai ka marrë një njoftim në telefon nga sistemi i një Tesla-je që ndodhej para garazhit.

Ai ka kontrolluar pamjet “live” dhe ka vërejtur se dikush po tentonte të hapte derën e automjetit. Më pas, pasi pa edhe kamerat brenda objektit, Berisha kuptoi se persona të panjohur kishin hyrë në garazh, transmeton tutje albinfo.ch.

“Brenda po lëviznin njerëz”, ka deklaruar ai, duke shtuar se menjëherë ka lajmëruar policinë dhe është nisur drejt garazhit.

Kur arriti në vendngjarje, ai dëgjoi zhurmën karakteristike të Porsche-s së gjelbër duke u larguar. Vetura e vjedhur ishte një model i veçantë, me 500 kuaj fuqi, dhe sipas Berishës dallohej sidomos për ngjyrën e saj unike.

Tre të arrestuar: dy rusë dhe një francez

Policia e Lucernit reagoi shpejt dhe, në bashkëpunim me policinë e kantonit Aargau, arriti të arrestojë tre të dyshuar në Dintikon AG. Sipas autoriteteve zvicerane, bëhet fjalë për dy shtetas rusë dhe një francez, të moshës 18 deri 21 vjeç, të cilët nuk kanë vendbanim në Zvicër.

Prokuroria e Sursee ka nisur hetimet për rastin.

Dyshohet se synimi ishin Lamborghini-t

Sipas Berishës, hajdutët kishin hyrë nga hyrja kryesore duke thyer një xham me këmbë, dhe më pas kishin hapur portën e garazhit nga brenda, tranameton albinfo.ch

Ai dyshon se fillimisht ata synonin të vidhnin dy Lamborghini, pasi sirtarët dhe pjesët e brendshme të tyre ishin hapur, duke lënë të kuptohet se kërkonin çelësat. Por meqë zakonisht çelësat nuk ruhen në objekt, ata përfundimisht zgjodhën Porsche-n, çelësi i të cilit ndodhej aty.

Hajdutët përdorën edhe një furgon për të larguar një Tesla që bllokonte rrugën dhe më pas u larguan me Porsche-n.

Vetura u gjet, por dëmet mbeten të paqarta

Porsche u sekuestrua dhe u tërhoq nga policia, ndërsa dëmet ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Berisha ka deklaruar se fatmirësisht është i siguruar, përfshirë edhe dëmet në objekt.

“Jam thjesht i lumtur që i kapën”, ka përfunduar ai, duke shtuar se kohët e fundit janë shtuar vjedhjet e veturave luksoze në Zvicër./Albinfo.ch

sqShqip