May 25, 2024
Maqedoni

Gruevski mund të shpëtojë edhe nga një rast tjetër gjyqësor

Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar rigjykim të rastit “Talir 2” që ka të bëjë me selinë e VMRO-DPMNE-së. Të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe sekretari i tij partiak Kiril Bozhinovski. Ndërkaq, ndërsa mbrojtja kërkoi që të hiqet akuza dhe të konstatohet vjetërsim absolut i lëndës.

Vepra për të cilën akuzohen Gruevski dhe Bozhinovski në janar të këtij viti ka plotësuar kushtet për vjetërsim absolut, ndërsa parashkrimi i saj është vulosur me ndryshimet e fundit në Kodin Penal. Mbrojtja i kërkoi Gjykatës së Apelit që mbi bazën e dispozitave të reja, të hiqet edhe vendimi gjyqësor për konfiskimin e “Pallatit të bardhë”.

Vendimin për rastin “Talir 2” Gjykata Penale e shqiptoi në korrik të vitit 2022, Gruevski u dënua me 6 vite burg, ndërsa ndaj Bozhinovskit u shqiptua gjobë.

Sipas aktakuzës, Gruevski dhe Bozhinovski duke shfrytëzuar detyrën dhe autorizimin zyrtar në kundërshtim me ligjet për partitë politike dhe për finansim, kanë mundësuar marrëveshje për ndërtim mes partisë dhe kompanisë së betonit dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë blerë objekt dhe kanë bërë përfitime pronësore prej rreth 132 milion denarë. Gjykata gjithashtu solli vendim për konfizkim të ndërtesës, e cila është selia partiake e VMRO-DPMNE-së.