May 30, 2024
Diaspora

Gjuha shqipe tani e 20 vite mësohet në Filadelfia të Amerikës

Rudina Bani mësuese e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” dhe nënkryetare e shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Philadelphia, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore.
Me mësuesen Rudina Bani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “GJUHA JONË” NË PHILADELPHIA TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Fakt i padiskutueshëm është që pavarësisht motiveve të ndryshme të largimit nga Shqipëria, emigrantët kudo që janë marrin me vete mallin dhe dashurinë për vendin e tyre. Aq më shumë emigrantët shqiptarë të USA që janë shumë larg gjeografisht Shqipërisë dhe kontaktin fizik me të e kanë më të kufizuar se emigrantët në Evropë.
Edhe shqiptarët e Filadelfias pavarësisht krahinave nga vijnë, besimit, arsimimit. kanë një emërues të përbashkët : Shqipërinë. Themeluesit e shoqatës mbarëshqiptare social- kulturore “ Bijtë e shqipes” që në vitin e parë të krijimit, në 2002 kanë pasur një qëllim parësor: ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të ndihmojë komunitetin shqiptar në integrimin në jetën amerikane. Kam rastin të përmend me shumë mirënjohje themeluesit e parë të kësaj shoqate; Viktor Furxhi, Vlashi Fili, Sotiraq Pema, Elvira Budo, Ilir Meçe, Laureta Petashi, Bashkim Tërbufi, Llazar Vero etj. Mirënjohje për këta intelektualë atdhetare që krijuan “Shqipërinë e vogël” ose më mirë të them shtëpinë e shqiptarit në Filadelfia. Respekti për këta themelues lidhen edhe me vizionin dhe guximin e tyre për të ndërtuar të parën shkollë shqipe në Philadelphia . Në datën e 26 Nëntor 2003, në mbrëmjen kushtuar Festës së Flamurit, zonja Elvira Budo njoftoi pjesëmarrësit në emër të kryesisë së shoaqatës se do të hapej shkolla shqipe për fëmijët. I adhurueshëm është angazhimi total i Kryesisë së parë për sigurimin e teksteve mësimore (abetareve), mjediseve ku do zhvillohej mësimi dhe mësimdhënësve. Kujtoj se ishte viti 2003, teknologjia nuk ishte kaq e zhvilluar dhe kontakti fizik apo telefonik ishte mundësia e vetme.
7 Mars 2004 ishte dita e parë e shkollës “ Gjuha jonë”. Domethënëse është zgjedhja e datës 7 Mars. Në këndvështrimin tim është simbolike: Mësonjtorja e parë shqipe hapet në Korçë në datën 7 Mars 1887 dhe 7 Marsi për ne shqiptarët nuk është konsiderohet si Festa e Mësuesit, por si dita e dijes dhe e dritës. 85 nxënës u regjistruan në këtë shkollë që atë vit i zhvilloi mësimet në dy mjedise. Qartësisht duket se është një numër i lartë për vitin e parë. Misioni ishte leximi, shkrimi, gramatika dhe të folurit e gjuhës shqipe në katër nivelet e shkollës. Nuk mund të mos përmend me shumë respekt mësuesit e parë të shkollës “ Gjuha jonë”, jo vetëm për faktin që ata pranuan të punojnë vullnetarisht çdo të dielë në shkollën shqipe, por edhe për thyerjen e barrierave të mosbesimit që shfaqeshin aty-këtu në komunitetin shqiptarë të asaj kohe. Sot pas 20 vitesh është koha t’i falenderojmë për pasionin, dashurinë dhe sakrificën e treguar. Nuk mund të kishtë jetëgjatësi kjo shkollë, nëse nuk do ishte dashuria dhe kujdesi i këtyre mësuesve dhe e kryesisë së parë të shoqatës. Jetëgjatë janë vetëm ato vlera që ngrihet me dashuri dhe me qëllim fisnik. Edhe sot pas 20 vitesh misioni i shkollës shqipe të Filadelfias ka mbetur i njëjtë: mësimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe te brezat e rinj shqiptaro-amerikanë. Mësimi për të gjithë ata fëmijë që nuk kanë lindur në Shqipëri dhe kontaktin me gjuhën e prindërve e kanë vetëm në familje dhe ruajtja dhe zhvillimi e gjuhës te fëmijët që vijnë rishtaz në USA. Në këto 20 vite, në shkollës tonë kanë punuar me shumë se 30 mësues dhe kanë studiuar më shumë se 800 nxënës.
Tashmë mësimi i gjuhës zhvillohet në 5 klasa dhe përveç shkrimit, leximit, të folurit , gramatikës së gjuhës, kemi edhe mësimin dhe njohjen e historisë së shqiptarëve duke e vlerësuar si unike për krenarinë dhe identitetin kombëtar. E padiskutueshëm është fakti që më e vështirë është ruajtja dhe vazhdimësia e një misioni sesa themelimi dhe nisja. Në këtë aspekt, shkolla “ Gjuha jonë” nuk është thjesht një mjedis ku vetëm mësohet, por është ura e kontaktit e lidhjes së brezave të rinj me komunitetin shqiptar, identitetit tonë. Festimet e datëlindjeve të nxënësve, ekskursionet, pjesëmarrja e nxënësve tanë në aktivitetet rëndësishme të shoqatës, mësimi i këngëve shqiptare, tregimi i përrallave, gjëegjëzat, filmat historikë, kërcimi i valleve tona në mjediset e shkollës nxënës dhe mësues bashkë e bëjnë këtë shkollë pasqyrë të botës shqiptare dhe identitetit edhe pse shumë larg atdheut.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI I SHKËLQYER ME PRINDËRIT, MIQTË DHE PËRKRAHËSIT E SHKOLLËS SHQIPE

Në lidhje me kurrikulën mësimorë që përdoret në shkollën tonë nga mësueset në të pesta klasat e saj si në mësimin që zhvillohet cdo të dielë në mjediset e shkollës, por edhe cdo të shtunë online, lëndët janë gjuhë shqipe, lexim letrar dhe historia e Shqipërisë. Kuptohet klasa e parë ka abetaren dhe leximin. Në klasën e pestë, fokusi i mësuesve është përvetësimi i njohurive nga historia dhe gjeografia e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare jashtë kufijve. Tektste mësimore vijnë nga Shqipëria që sigurohem me shumë mundim por vullnetarisht nga miqtë dhe dashamirësit e shoqatës” Bijtë e shqipes” në Atdhe. Mësuesit përshtatin planet mësimore duke pasur parasysh dy faktorë të qenësishëm si së pari: punohet me fëmijë që gjuhën shqipe e kanë gjuhë të dytë në përdorim dhe së dyti: mësimi online dhe in person zhvillohet një herë në javë 3 orë.
Nuk mund të lë pa theksuar faktin se pas epidemisë së Covid- 19 shkolla shqipe në vitin mësimor 2020-2021 ka zhvilluar mësimin online. Kuptohet ishte një risi dhe e papritur për kryesinë e kësaj shoqate në atë kohë. Në këtë rast falenderimi i shkon gjithë atyre që kontribuan vullnetarisht në ngritjen e platformës mësimore online, sigurimin e komputerave dhe trajnimin e mësuesve për këtë mësim. Pas rikthimit të nxënësve që jetojnë në Filadelfia në vitin mësimor 2021-2022 në shkollë, ne nuk e ndërpremë mësimin online, duke u dhënë mundësi fëmijëve që jetojnë në Delaware, Massachusets, Boston, New York, të mësojnë gjuhën e të parëve.
Kuptohet, një shkollë nuk mund të ketë rezultat, nëse i mungon bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin. Prindërit e nxënësve tanë nuk sjelllin dhe marrin thjesht femijët nga shkolla, por janë të përfshirë në aktivitetet e saj, ndihmojnë vullnetarisht në shkollë. Kontakti mësues-prindër është i përjavshëm duke marrë informacion për ecurinë e fëmijëve, detyrat. Mësueset e kësaj shkolle dhe Kryesia e shoqatës janë falenderues për komunitetin e prindërve jo për pagesën simbolike që bëjnë për shkollën, por për përpjekjen që ata bëjnë të ruajtjen e gjuhës së tyre te pinjollët. Gjithmonë është një thirrje e vazhdueshme dhe kërkesë e mësuesve të shkollës të flitet shqip në familje. Askush nuk mund ta mësojë një gjuhë duke studiuar vetëm 3 orë në javë. Fëmijët që dallohnë për nivelin e lartë të përvetësimit të gjuhës shqipe janë ata nxënës që kanë në shtëpi gjyshër, ata që kanë prindër “fanatikë” që nuk pranojnë kompromise për të folur anglisht në shtëpi. Gjuha ruhet aty ku flitet.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË PHILADELPHIA

Edhe pse është tepër i njohur si fakt, dua ta përmend në këtë intervistë se edhe pas 600 viteve arbëreshët e ruajnë gjuhën e tyre dhe vazhdojnë ta quajnë veten arbëresh. Nuk nevojiten argumentime të gjata për të kuptuar arsyen e kësaj vazhdimësie. Largimi fizik nga atdheu është i mundur në çdo kohë, harresa e gjuhës, historisë, këngëve është e pamundur. Të kthehem te arbëreshët. Në kushte shumë më të pafavorshme se emigrantët sot, ata ruajtën me fanatizëm identitetin kombëtar. Shumica e shqiptarëve në Filadelfia nuk kanë më shumë se 30 vjet emigrim. Mundësitë e ruajtjes së identitetit kombëtar në USA janë maksimale, më të mëdha se në çdo vend tjetër nëse ekziston dëshira e individit. Kryesia e shoqatës “ Bijtë e shqipes” që në fillimet e saj e ka vlerësuar mësimin e gjuhës shqipe si elementin parësor për ruajtjen e identitetit kombëtar. Çdo ditë mësimi nis me këndimin e Himnit Kombëtar nga mësuesit dhe nxënësit se bashku live. Njohja me historinë e kombit tonë , informacione për veprën e figurave më të shquara historike të kombit tonë, por edhe për figurat që kanë lartësuar emrin e shqiptarëve kudo në botë në kohët moderne si të madhërishmen Nënë Tereza, apo sportistë, shkencëtare, artistë, shkrimtarë që kanë krenuar dhe krenojnë ende sot gjithë shqiptarinë. Ngritja e flamurit shqiptar dhe së fundmi ngritja e flamurit kosovar në sheshin e Philadelphias nuk bëhet vetëm nga përfaqësuesit e kryesisë dhe miqtë e saj por nxënësve të shkollës sonë. Pjesëmarrja e fëmijëve në Paradën e Kombeve që zhvillohet çdo fundnëntori në Philadelphia veshur me kostumet popullore duke kënduar e kërcyer së bashku me prindërit dhe mësuesit e tyre është rrezatimi i këtij identiteti. Nxënësit e shkollës sonë nuk janë thjesht pjesëmarrës të aktiviteteve të mëdha që zhvillon shoqata me komunitetin shqiptar, por ata në vitet e fundit janë prezantuesit dhe moderatoret e këtyre aktiviteteve. Fëmijët që marrin përsipër përgjegjësi të mëdha që të flasin dhe të drejtojnë para me shumë se 300 pjesëmarres 3-4 orë në gjuhën shqipe. Duhet të theksojmë që ata mund ta kenë vizituar Shqipërinë 2 apo 3 herë. Ata me siguri do jenë vazhdimësia e shoqatës sonë në të ardhmen. Shoqata mbarëshqiptare atdhetare –kuturore “ Bijtë e shqipes” dhe shkolla “Gjuha Jonë” nuk kanë vetën të kaluar dhe të tashmen. por do të kenë edhe të ardhme në saj të këtyre nxënësve.

SHTETI I PHILADELPHIA-S NDERON DHE VLERËSON MËSIMIN SHQIP

Shkolla “ Gjuha Jonë” ashtu si dhe shoqata “ Bijtë e Shqipes” tashmë janë bërë të njohura jo vetëm në komunitetin shqiptar, por edhe atë amerikan. Gjithashtu doja të thoja se jashtë Filadelfias , kudo në Amerikë dhe në Shqipëri. Kjo shoqatë është vlerësuar nga qeveria shqiptare me titullin e lartë “ Nderi i Kombit”. Pas kaq vitesh punë, jemi krenarë që kemi fituar respektin e gjithë komuntetit shqiptar dhe amerikan. Mësimi shqip është bërë evident nëpërmjet aktiviteteve të mëdha si Festa e Flamurit, Festa e Nënës dhe e Mësuesit apo 20- Vjetori i Shoqatës. Përfaqësuesit e lartë të Philadelphias, por edhe të shtetit të Pennsylvanisë kanë nderuar këto aktivitete dhe na kanë përgëzuar për atë që shoqata jonë bën me brezat e rinj, me fëmijët shqiptaro-amerikan. Kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar këtë shoqatë.
Nxënësit e shkollës shqipe si dhe shumë e shumë fëmijë shqiptar janë tepër të suksseshëm në shkollat që ata ndjekin. Duhet të theksoj se studentët tanë ndjekin universitetet më të mira në Philadelphia dhe në Amerikë. Ka vetëm një arsye: arsimi për ne shqiptarët është i shenjtë dhe konsiderohet jo vetëm parësor për prindërit , por edhe nga gjithë anëtarët e familjeve. Nëse do jeni i pranishëm në ditët e para të fillimit të shkollës, do të mundeni të shikoni se si vëllezërit dhe motrat më të rritura, ish-nxënës të shkollës shqipe, inkurajojnë nxënësit e rinj. Nuk mjaftohemi me kaq. Prindërit, gjimnazistët, studentët shqiptarë ndihmojnë vullnetarisht cdo të dielë dhe nëpër aktivitetet e mëdha të shkollës dhe shoqatës. Duhet të them se shkolla jonë njihet nga komuniteti amerikan dhe shumë herë ata me shumë sinqeritet përmendin faktin që studentët tuaj dhe nxënësit e shkollës shqipe janë më të mirët. Si mësuese e kësaj shkolle por edhe si nënkryetare e shoqatës vlerësoj angazhimin dhe përgjegjësine e prindërve në jetëgjatësinë dhe suksesin e shkollës. Nuk flas këtu vetëm për investimin e tyre monetar që do të thosha është tepër simbolik, por për atë shpirtëror dhe shoqëror. Një investim që sot është pothuajse i padukshëm, por i rëndësishëm për të ardhmen.

SHOQATA “BIJTË E SHQIPES” DHE NDIHMA PËR ZHVILLIMIN E MËSIMIT SHQIP NË PHILADELPHIA

Në lidhje me këtë pyetje ju siguroj se shkolla shqipe “ Gjuha jonë” dhe shoqata “Bijtë e shqipes” janë një institucion i pandarë. Pas 20 vitesh, ky institucion është i mirëorganizuar dhe i mirëorientuar në qëllimet e së tashmës, por edhe ato të së ardhmes. Shoqata me shumë vëmendje ndjek gjithë ecurinë dhe mbarëvajtjen e shkollës dhe mësimit online dhe in person. Po ju përmend një fakt: së fundmi shoqata ka bërë zgjedhjet e reja dhe kryesinë e re. Më shumë se gjysma e anëtarëve të rinj të kryesisë së re janë intelektulë ë janë arsimuar dhe edukuar në USA. Që në mbledhjen e parë të saj Kryesia e re dhe kryetari i saj z. Dritan Matraku fillimisht ka kërkuar angazhimin jo vetëm të gjithë anëtarëve të shoqatës, por edhe miqve, simpatizantëve kudo ndë USA dhe në Shqipëri ndihmë monetare për përfundimin e godinës së re të shkollës shqipe. E rëndësishme është që kemi kërkuar ndihmë nga komunteti amerikan dhe instancat më të larta të qytetit.Gjithashtu në muajt e vërës kemi punuar për sigurimin e teksteve mësimore miqve të shoqatës në Shqipëri, të cilët na kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të jenë në kontakt të përhershëm me ne. Ndihmesë pa shpërblim, por frymëzuese.
Kryesia e shoqatës mban kontakte të pandërprera me mësuesit e shkollës, u jep mbështetje maksimale duke nxitur dhe diskutuar ide dhe praktika në lidhje me mësimin në shkollë. Si duhet ta bëjmë mësimin më tërheqës e më rezultativ. Për këtë duhet të përmend edhe bashkëpunimin që është realizuar me shkollat shqipe në diasporë si në Greqi, Neë York etj. Prezenca e mësueve tanë në trajnimet online për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, apo me Futurë School është realizuar në saj të kryesisë së Shoqatës dhe ka qenë efektive në përdorimin e strategjive te reja mësimdhënëse.
Në përfundim të kësaj interviste personalisht në emër tim,por edhe si nënëkryetare e shoqatës “ Bijtë e shqipes” falenderoj pafundësisht dhe respektoj themeluesit e parë të kësaj shoqate jo vetëm për aktivitetin e tyre si intelektualë për të bashkuar komunitetin shqiptar në Phialdelphia, por për për papërtueshmërinë dhe qartësinë, vizionin në hapjen dhe vazhdimësinë e shkollës shqipe.
Një mirënjohje dhe falenderim si një mësuese me më shumë se 25 vjet përvojë, për të gjithë mësuesit që kanë kontribuar në 20 vite të shkollës” Gjuha jonë” , respekt për mësueset aktuale dhe për të gjithë mësuesit që ndihmojnë në mësimin e gjuhës shqipe kudo në diasporë.
Jam besimplote në ecurinë dhe suksesin e shkollës “Gjuha Jonë” dhe në realizimin e misionit madhor të Shoqatës “ Bijtë e Shqipes” se besoj në ndihmën e prindërve , gjyshërve, biznesmenëve, intelektualëve, gjithë shqiptarëve.
Faleminderit Gazeta “Dielli” për mundësinë dhe pasqyrimin e vlerave, arritjeve të komunitetit shqiptar në USA. Shtatori është pranë. Në 20 vjetorin e saj, shkolla “Gjuha Jonë” mirëpret të gjithë nxënësit në Philadelphia dhe jashtë saj. Gjuha është e para që na identifikon kulturën dhe individualitetin tonë.

KUSH ËSHTË MËSUESE RUDINA BANI?

Jeta e mësuese Rudina Bani është ndarë midis Shqipërisë dhe Amerikës. Profesioni i saj i përhershëm në të dyja shtetet ka qenë arsimtare. Pas mbarimit të studimeve të larta në universitetin “ Eqerem Cabej” në degën Gjuhë shqipe- Letërsi, në Gjirokastër , punon fillimisht në shkollat 8- vjecare të këtij qytetit. Më pas përfundon studimet e larta master në letërsi dhe punon në gjimnazin” Asim Zeneli” në Gjirokastër për më shume se 13 vjet. Ka ushtruar detyrën e nëndrejtores në këtë gjimnaz. Pas shpërguljes si familje në 2013 në qytetin e saj të lindjes në Fier , është sërish mësuese dhe nëndrejtore në gjimnazin “Flatrat e dijes”. Gjatë kësaj kohë angazhohet me organizatat OJQ për sensibilizimin e pjesmarrjen active të gruas jo vetëm në zgjedhje por edhe ne organet drejtuese. Gjithashtu ka ushtruar profesionin e gazetares së terrenit dhe studios në televizionin lockal, Fier, derisa u zhvendos në Amerikë, emisonin qe lidhej me traditat, kulturën dhe vazhdimësinë e komunitetit vllah në Shqipëri.
Pas shpërnguljes në Amerikë, në vitin 2017, punon si ndihmës mësuese në shkollat fillore Charter (Keystone Academy Charter School) pas një experience 4- vjecare në punën si mësuese në Preschool. Që nga viti 2018, punon si mësuese në shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” dhe njëkohësisht është nënkryetare e shoqatës “Bijtë e shqipes” duke u angazhuar në problemet dhe ecurinë e shkollës “Gjuha Jonë” dhe në organizimin e aktivitete të shoqatës.