Shkruan: Valbona Emini
Çështjet e identitetit gjuhësor, kulturor, historik e tradicional janë vlera që duhen respektuar, ruajtur dhe trashëguar.
– Regjistrimi dhe hapja e kursit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në një ndër institucionet shtetërore në Itali, më dha një ndjesi krenarie po aq sa më kujtoi realitetet e ndryshme me të cilat gjuha shqipe po përballet sot.
Ndërkohë që në Itali, Austri, Gjermani, Zvicër, Amerikë por jo vetëm, po mundësohet institucionalisht mësimi i gjuhës shqipe duke e trajtuar si vlerë dhe jo çështje numrash, e kundërta po ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët që kanë pasur rol të rëndësishëm shtetforumes dhe gjuhën shqipe e kanë gjuhën e tyre amë, po trajtohen si numra dhe po kushtëzohen institucionalisht për ta përdodur atë.
Jemi të vetëdijshëm që kemi të bëjmë me realitete të ndryshme, por në thelb hapja e kurseve të gjuhës shqipe, përtej propozimit dhe përpjekjeve individuale është tregues i vlerësimit dhe gatishmërisë shtetërore në shërbim të ndërveprimit kulturor dhe respektimit të ndërsjelltë ndëretnik.
Njohja e gjuhës dhe kulturës së një populli nuk varfëron dhe dëmton askënd, përkundrazi është aset i shtuar që ia shton vlerat një vendi po aq sa pasuron shpirtin, mendjen dhe nxit qasje të reja ndaj elementeve të përbashkët e të ndryshëm njëkohësisht.
Njohja është një proces që lidhet ngushtë me ekzistencën dhe perceptimin që i shemb muret e ndarjes dhe paragjykimeve. Përmes procesit njohës arrin të kuptosh gjuhën dhe kulturën po aq sa botën dhe shpirtin e një populli. Gjuha kthehet në një urë ndërvepruese në funksion të bashkëpërfshirjes dhe jo distancimit, sepse gjuha në vetvete i shërben komunikimit, mirëkuptimit dhe jo përçarjes.
Për këtë arsye më vjen keq që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me një proces që nuk i ngjan atij njohës dhe as bashkëveprues, por nxit kufizim që përkthehet në mohim, një përpjekje dashakeqëse që nuk përkon me kohët që po jetojmë.
Ndaj e ndjej më shumë se kurrë të sjell në vëmendje se çështjet e identitetit gjuhësor, kulturor, historik, tradicional janë vlera që duhen respektuar, ruajtur dhe trashëguar si domosdoshmëri për një bashkëjetesë në harmoni mes qytetarëve të një vendi.

