Gjorov: Bullgaria kërkon garanci nga Maqedonia për plotësimin e kërkesave, nuk jemi kundër Unionit
Largimi i vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut, do të hapte rrugë që vendi të fillonte negociatat për anëtarësim në Union.
Por, largimi i vetos ka shkaktuar një sërë reagimesh pro dhe kundër si në vend ashtu edhe në Bullgari.
“Çështja e tërheqjes së vetos për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të shkojë në referendum”, tha Andrej Gjorov, kreu i grupit parlamentar të partisë më të madhe në parlamentin bullgar “Vazhdojmë me ndryshimin”, e kryeministrit Kiril Petkov.
Sipas Gjorovit, heqja e vetos varet nga veprimet konkrete dhe garancitë e Evropës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një deklaratë për mediat bullgare, ai tha se nëse do të kishte një ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë, atëherë do të kërkonte një vendim të përbashkët në parlament, në koalicionin qeverisës dhe jashtë tij brenda Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Bullgaria e ka bërë shumë të qartë se interesi i saj kombëtar dhe interesi i BE-së është që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet familjes evropiane. Ne duhet të bëjmë dallimin mes të folurit për integrimin dhe punës për integrimin. Mendoj se këtu dallimi mes qeverisë së mëparshme dhe asaj aktuale është vërtet i madh. Në muajt e fundit është arritur shumë progres në marrëdhënie në krahasim me vitet e kaluara, kur ishim në pozicion pritjeje, madje prisnim të dështonte procesi”, tha Gjorov.
Ai përsëriti se vetoja për Shkupin nuk duhet të vendoset me referendum.