Gjermania po kërkon “ekspert kanabisi”, paga 100 mijë euro në vit
Një kompani gjermane me bazë në Këln kërkon një “ekspert kanabisi” dhe për këtë ka bërë një shpallje zyrtare të vendit vakant.
Detyrat e këtij personi janë nuhatja dhe shijimi i kanabisit për të provuar cilësinë. Pagesa për këtë do të jetë 100 mijë euro në vit.
Kompania shpërndan kanabis mjekësor në farmacitë gjermane. Bima përdoret për trajtimin e disa dhimbjeve kronike.
“Ne po kërkojmë dikë që monitoron vazhdimisht standardet e kultivuesve tanë në vendet burimore të Australisë, Kanadasë, Portugalisë, Maqedonisë së Veriut dhe Danimarkës. Këtu në Gjermani, ai duhet të kontrollojë gjithashtu cilësinë e materialit të dorëzuar”, u shpreh shefi i kompanisë, David Henn.
“Kusht paraprak është që ai vetë të jetë një pacient aktiv me kanabis. Kjo është mënyra e vetme që ai mund të konsumojë legalisht kanabis në Gjermani”, shtoi Henn.
Deri në këto momente më shumë se 100 njerëz kanë shprehur interesim./Euronews