Rajon - Botë

Gjermania kërkon nga Izraeli të mbrojë jetën e civilëve në Gaza

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së jetës së civilëve në Gaza gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, transmeton Anadolu.

“Kancelari përsëriti solidaritetin e palëkundur të Gjermanisë me Izraelin. Nga ana e tij, ai theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe ofrimit të kujdesit humanitar për popullatën në Rripin e Gazës”, tha në një deklaratë për mediat Steffen Hebestreit, zëdhënës i qeverisë gjermane.

Kjo vjen pasi bombardimet vdekjeprurëse të Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës lanë qindra të vdekur dhe të plagosur.

Hebestreit tha se kryeministri izraelit e informoi kancelarin gjerman për situatën aktuale në Izrael pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi dhe për veprimet e mëtejshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Ai tha se Scholz përshëndeti faktin që njerëzit e plagosur tani po sillen në Egjipt për trajtim përmes pikës kufitare Rahah për herë të parë që nga fillimi i konfliktit në Gaza.

Më herët gjatë ditës, qindra të huaj dhe palestinezë me një pasaportë të dytë arritën të largohen nga enklava bregdetare përmes pikës kufitare Rafah drejt Egjiptit.

Midis tyre, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se ishin edhe shtetas gjermanë që ishin punonjës të organizatave ndërkombëtare të ndihmës.

Ministria gjermane në rrjetet sociale njoftoi se ata u pritën në pikën kufitare Rafah nga një ekip nga ambasada gjermane në Kajro.