May 18, 2024
Rajon - Botë

Forcat izraelite vazhduan ofensivën tokësore në Rripin e Gazës

Luftime të ashpra gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm në qytetin Kan Junis në jug të Rripit të Gazës, pasi Izraeli e vazhdoi ofensivën tokësore. Forcat izraelite po përballen me rezistencë edhe në veri të Gazës, ku lagje të tëra janë bërë rrafsh me tokën nga bombardimet, dhe ku trupat izraelite janë duke vepruar tash e gjashtë javë.

– Advertisements –

Në Kan Junis, ku forcat tokësore u futën në fillim të dhjetorit, banorët thanë se kanë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime të vazhdueshme, pasi avionët luftarakë bombarduan zonat brenda dhe përreth qytetit jugor, i cili është qyteti i dytë më i madh i Gazës.

Izraeli është përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar. Rreth 1.9 milionë njerëz janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, sipas agjencive të OKB-së. Hamasi u fut në jug të Izraelit furishëm më 7 tetor ditë duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer mbi 240 të tjerë, rreth 100 prej të cilëve janë liruar tashmë gjatë armëpushimit njëjavor muajin e kaluar. Si përgjigje ndaj këtij sulmi, Izraeli po e kryen një luftë shkatërruese nga toka dhe ajri, duke i vrarë mbi 17.400 palestinezë. /Alsat.mk